Gati 200 mijë euro: Sa shpenzoi Donika Gërvalla dhe kabineti i saj për udhëtime, mëditje e dreka? - NACIONALE

Gati 200 mijë euro: Sa shpenzoi Donika Gërvalla dhe kabineti i saj për udhëtime, mëditje e dreka?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Që nga muaji mars i vitit 2021 kur e ka marrë mandatin, e deri në korrik të këtij viti, kryediplomatja Donika Gërvalla bashkë me kabinetin e saj, kanë shpenzuar rreth 200 mijë euro për udhëtime, mëditje, dreka e bileta. Këto janë statistikat që gazeta Nacionale i ka siguruar nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, tek pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Që nga muaji gusht i këtij viti, gazeta Nacionale kishte kërkuar qasje në shpenzimet e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla dhe kabinetit të saj, për udhëtime jashtë vendit, bileta e mëditje. Minsitria e Jashtme dhe e Diasporës nuk kthente përgjigje. Si rezultat, Nacionale e dërgoi rastin në Agjencinë për Informim e Privatësi.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, më 25 gusht 2022, i ka dërguar MPJD-së një shkresë njoftuese; ndërsa më 12 shtator 2022 ka nxjerrë vendimin A-487/2022; ndërkaq më 18 nëntor 2022 ka njoftuar MPJD-në për shqiptimin e gjobës administrative, pas së cilës, institucioni publik, brenda ditës ka reflektuar, duke përmirësuar shkeljen e evidentuar nga AIP dhe duke i ofruar palës ankuese qasje në dokumentet e kërkuara”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Kjo e fundit e kishte paralajmëruar ministrinë e Donika Gërvallës me mundësinë për gjobitje, dhe tek më pas, MPJD ia ka ofruar gazetës Nacionale shpenzimet e kryediplomates dhe kabinetit të saj. Kjo për periudhën që nga marsi 2021 deri më korrik 2022.

Në këtë periudhë kohore, që përfshin 16 muaj, Donika Gërvalla dhe kabineti i saj për udhëtime jashtë vendit, bileta, mëditje, akomodime e ngjashëm, kanë shpenzuar saktësisht 188 mijë e 368 euro, raporton gazeta Nacionale.

Për periudhë mars-dhjetor të vitit 2021, kryediplomatja dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 77 mijë e 535 euro, kurse nga janari deri në korrik 2022, janë shpenzuar 110 mijë e 833 euro.

Ministria e Jashtme dhe Diasporës në të dhënat që ia ka dërguar Nacionales ka bërë të ditur se këto shpenzime, janë edhe të stafit e departamenteve tjera e jo vetëm të kabinetit të ministres apo ministrave.

Mars-Dhjetor 2021:

Për këtë periudhë kohore, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës shpenzimet më të mëdha i ka pasur për bileta të udhëtimit, në total 33 mijë e 366 euro. 24 mijë e 137 euro të tjera Gërvalla dhe kabineti i saj kanë pranuar mëditje, 14 mijë euro të tjera për akomodim, 5 mijë euro janë paraqitur si shpenzime të tjera për udhëtime jashtë vendit, kurse 392 euro për dreka. Në total pra: 77 mijë e 535 euro të shpenzuar për udhëtime jashtë vendit e dreka, që nga marsi deri në dhjetor 2021.

Janar-Korrik 2022:

Që nga janari deri në korrik të vitit 2022, Gërvalla dhe kabineti i saj kanë shpenzuar 110 mijë e 833 euro për shpenzime jashtë vendit, bileta udhëtimi e mëditje.

60 mijë e 876 janë shpenzuar për bileta të udhëtimit. 24 mijë e 310 euro për mëditje. 17 mijë e 527 euro për akomodim. Mbi 6 mijë euro për shpenzime të tjera, dhe 1 mijë e 655 euro për dreka zyrtare. Pra në total, 110 mijë e 833 euro.

Krahasimet me vitet e kaluara

Megjithatë, krahasur me periudha të kaluara, Donika Gërvalla dhe kabineti i saj po dalin se kanë shpenzuar më pak, përveç krahasuar me vitin 2020. Në vitin 2020, Minsitria e Jashtme dhe e Diasporës ka shpenzuar për udhëtime, mëditje e bileta rreth 106 mijë euro. Pra, krahasuar me vitin 2020, kabineti i saj dhe Gërvalla kanë shpenzuar më shumë.

Megjithatë, situata qëndron ndryshe nëse e marrim shembull vitin 2019, 2018, 2017 apo vitet e tjera.

Viti 2019: Në gjithë vitin 2019, ministri i atëhershëm i Jashtnë, kishte shpenzuar hiç më pak se gjysmë milioni euro për udhëtime jashtë vendit, mëditje, dreka e bileta. 364 mijë euro kishte shpenzuar aso kohe Ministria e Jashtme për bileta udhëtimi, 58 mijë euro përmëditje, 118 mijë euro për akomodim e 11 mijë euro për shpenzime të tjera. Pra, krahasuar me vitin 2019, shpenzimet aktualisht janë dukshëm më të vogla.

Viti 2018: As në vitin 2018, nuk ia kishin lënë keq me shpenzime në Ministrinë e Jashtme. Edhe në këtë vit, janë shpenzuar gati gjysmë milioni euro. Apo më saktësisht 524 mijë euro. Në total për bileta të udhëtimit në këtë vit ishin shoenzuar 358 mijë euro, për mëditje 69 mijë euro, për akomodime 78 mijë euro e për shpenzime të tjera 15 mijë euro.

Viti 2017: Në total, kishte pasur 446 mijë euro për shpenzime jashtë vendit, bileta udhëtimi e mëditje.

Viti 2016: Në total kishte pasur 324 mijë euro për shpenzime jashtë vendit, bileta udhëtimi e mëditje.

Viti 2015: Në total kishte pasur 377 mijë euro për shpenzime jashtë vendit, bileta udhëtimi e mëditje.

Lajme të ngjashme