Diplomacia armene: Ushtarët tanë do të qëndrojnë në Kosovë
Megjithë deklarimin e kryeministrit armen Nikol Pashinyan, Armenia nuk do t’i tërheqë ushtarët e saj nga Kosova.
Se ushtarët e saj paqeruajtës do të qëndrojnë edhe më tutje në Kosovë, kjo është bërë me dije nga një përgjigjje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Armenisë, përcjellin mediet armene.
Gjatë bashkëbisedimit të fundit për Televizionin Publik të Armenisë, kryeministri Pashinyan theksoi se ushtria armene nuk ka detyra për të kryer jashtë territorit të njohur ndërkombëtarisht të Armenisë.
Edhe më 15 prill gjatë një fjalimi në Kuvendin Kombëtar, Pashinyani ka përsëritur këtë deklarim, duke vënë në dukje se ushtria armene nuk ka e nuk do të ketë detyra jashtë territorit sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht të Armenisë.
Duke marrë si shkas këtë deklarim, Ministria e Jashtme e Armenisë është pyetur nëse planifikohet që paqeruajtësit armenë të tërhiqen nga misioni i tyre në Kosovë.
Sipas MPJ-së armene, misioni i forcave paqeruajtëse ndërkombëtare është të sigurojnë paqen, Armenia është e përkushtuar për agjendën e paqes, dhe përkushtimi vlen jo vetëm për Kaukazin e jugut, por për gjithë botën.
“Duke marrë pjesë në misionin paqeruajtës në Kosovë, Republika e Armenisë po kontribuon në përpjekjet ndërkombëtare me qëllim qetësimin e tensioneve dhe vendosjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit”, është thënë në përgjigjjen me shkrim të diplomacisë armene.
MPJ-ja armene ka nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Armenisë në misione ndërkombëtare paqeruajtëse në dritën e bashkëpunimit të zgjeruar me partnerët ndërkombëtarë në vendosjen e paqes dhe sigurisë.
Zyrtarët armenë besojnë se pjesëmarrja e Armenisë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare ndikon edhe në qëndrueshmërinë në rritje të sistemit të sigurisë së Armenisë, mbështetur në standarde ndërkombëtare dhe në përvojën e fituar, duke e bërë më të fortë kundrejt sprovave bashkëkohore të sigurisë.
Aty është thënë gjithashtu se Armenia është gati të vazhdojë pjesëmarrjen në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit.
Ushtarë paqeruajtës armenë ka edhe në Liban, të cilët veprojnë në kuadër të misionit UNIFIL të Kombeve të Bashkuara.
Sipas të dhënave të KFOR-it, Armenia është njëra nga 28 shtetet kontribuese në misionin paqeruajtës në Kosovë, me gjithsejt 57 ushtarë. /NACIONALE/