Dikur ndanin drejtësi, sot të dënuar – Gjyqtarët të përfshirë në vepra penale - NACIONALE

Dikur ndanin drejtësi, sot të dënuar – Gjyqtarët të përfshirë në vepra penale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë të thirrur të vënë drejtësi. Megjithatë, në shumë raste vetë gjyqtarët janë përfshirë në afera të ndryshme.

Gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit, 3 gjyqtarë janë dënuar nga gjykatat të ndryshme, raporton Betimi për Drejtësi.

Më 23 janar 2023, ish-gjyqtari Lekë Prenaj, u dënua me 6 muaj burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndërsa, është liruar nga pika tjetër e aktakuzës për legalizim të përmbajtjes së rreme

Sipas aktakuzës, Prenaj në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Civil, kishte tejkaluar kompetencat kur kishte marrë vendim gjyqësor në lidhje me pronën e “Radio Televizionit të Prishtinës”, duke e ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, kurse për menaxhimin e këtyre pronave kompetente është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Bashkë më gjykatësin Prenaj, u dënuan edhe Hilmi Kastrati, ish-kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, Shkumbin Qehaja dhe Shpëtim Pllana.

Më 24 tetor 2022, u dënua një tjetër ish-gjyqtar. Bëhet fjalë për Kolë Pukën, të cilin Gjykata Themelore e Prishtinës, e ka dënuar me dënim unik prej 10 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Puka iu shqiptua edhe dënim plotësues, konfiskimi i shtëpisë me shënime si në certifikatën e lëshuar në Prishtinë, më 18 janar 2008. Kurse, u refuzua propozimi i dytë i prokurorisë, për kthimin e mjeteve në shumë prej 30 mijë euro personit tjetër, meqë konsiderohet si i pabazë.

I njëjti detyrohet t’i paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 100 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Rafet Ismaili, si ish-gjyqtar i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, në shkurt të vitit që lamë pas, u dënua për herë të dytë për korrupsion, bashkë më të edhe ish-polici Blerim Gashi.

Ismali e Gashi, u dënuan me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë, si dhe u obliguan të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore, shumën prej 100 euro për paushallin gjyqësor dhe shumën prej 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Sali Berisha, akuzohet se si gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar ryshfet prej 2 mijë euro, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Gjatë vitit 2022, nga monitorimi që “Betimi për Drejtësi”, i ka bërë këtij rasti, janë mbajtur 10 seanca gjyqësore, ndërsa janë shtyrë 6 seanca.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme