Dikur gjeneral i respektuar, tash turist: A i ndryshoi fjalët Haradinaj për komandant Remin?
Ramush Haradinaj, ish-shef i zonës operative të UÇK-së për Dukagjin, dje dha disa cilësime për Hashim Thaçin, ish-drejtor politik i UÇK-së, dhe Rrustem Mustafën, ish-komandant i Llapit, të cilat ngjallën shumë reagime. Haradinaj i quajti turistë Thaçin dhe Mustafën. Por Haradinaj kishte krejt tjera cilësimë vite më parë për ish-komandant Remin.
Por, së pari, le të japim pak kontekst. Dje në emisionin “Res Publica” në Tëvë 1, Haradinaj, gjersa po fliste për luftën e viteve 1998-1999, deklaroi se Thaçi dhe Mustafa kanë qenë turistë gjatë luftës së fundit.
“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tre javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turista janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hin e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hijnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?” – deklaroi Haradinaj fillimisht.
E pas këtyre cilësimeve, ai tregoi se ai nuk e ka lëshuar asnjëherë Kosovën gjatë luftës.
“Po të flet dikush që nga 24 marsi 1998 në shpi të vet ka luftuar me krejt familjen dhe jemi kanë bukur profesionistë. Po të flet dikush që vëllau i parë ju ka vra në 1997, në 6 maj 1997. Nga 24 mars 1998 deri në 12-13 qershor s’e kam lëshuar Kosovën asnjë ditë kur janë largu serbët, se kam lëshuar një ditë Kosovën.” - shtoi ai.
Por Haradinaj mendonte shumë më ndryshe dikur për Remin, ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit. Më saktë, në vitin 2019, z. Haradinaj e kishte pritur në zyrën e kryeministrit ish-komandant Remin, të cilin edhe e kishte nderuar me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. Madje, Haradinaj kishte shprehur edhe “respektin më të lartë” për rrugën e tij jetësore.
“Me ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, bashkëbiseduam për zhvillimet në vend, në veçanti për trajtimin e dinjitetshëm të kategorive të lirisë. Duke shprehur respektin më të lartë për rrugën e tij jetësore në shërbim të atdheut dhe lirisë, gjeneralit Mustafa, i dorëzova Medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.” – kishte shkruar Haradinaj në vitin 2019.
Ndryshe, gjatë ditës Haradinajt i ka reaguar edhe Xhavit Haliti, një ish-komandant i njohur i UÇK-së, që tash është deputet i PDK-së. Në një prononcim për gazëtën "Blic", deklaroi se në hotelin “Rogner”, të cilin e përmendi edhe Haradinaj, janë mbajtur tri konferenca për media, derisa anëtarët e ushtarët e Shtabit Qëndror, kanë fjetur në banesa private.
“E konfirmoj me jetë që në “Rogner” nuk ka fjetur asnjë anëtar i Shtabit Qendror as i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, gjatë gjithë kohës së luftës deri në përfundim të saj. Në “Rogner” janë mbajtur tri konferenca për shtyp, të cilat i ka mbajt Jakup Krasniqi. Në Rogner ka fjetur Ahmet Krasniqi, ndërsa anëtarët, ushtarët e Shtabit Qendror dhe të Përgjithshëm kanë fjetur në banesa private.” – citohet të ketë thënë ai.

