“Diktator në arrati”: Netanyahu ballafaqohet me protestues edhe në Londër - NACIONALE

“Diktator në arrati”: Netanyahu ballafaqohet me protestues edhe në Londër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u prit me bërtitje e fishkëllima nga qindra protestues pranë ndërtesës së Qeverisë së Britanisë të premten. Zemërimi i shumë njerëzve për reformën e tij në drejtësi e ndoqi Netanyahun edhe në Londër.

Kryeministri izraelit u përshëndet për dore me homologun britanik, Rishi Sunak, te hyrja e ndërtesës së qeverisë britanike, ndërsa protestuesit mbanin në duar flamuj izraelitë dhe bërtitnin: “Netanyahu, shko në burg, ti s’mund të flasësh për Izraelin.”

Skena në Londër i ngjau asaj në Berlin më herët këtë muaj, ku qindra njerëz u grumbulluan afër ndërtesës së Qeverisë së Gjermanisë për të protestuar kundër ndryshimeve në sistemin gjyqësor, raporton agjencia “Reuters”.

Netanyahu është ballafaquar me protesta për disa javë, pasi koalicioni i tij nacionalist i miratoi ndryshimet në sistemin e drejtësisë, të cilat do t’i siguronin qeverisë autoritet për zgjedhjen e gjykatësve dhe do t’i kufizonin kompetencat e Gjykatës Supreme për të shfuqizuar ligje.

Televizionet kishin pritur që ta incizonin fillimin e takimit mes Netanyahut dhe Sunakut, por, siç u duk, kjo procedurë u anulua të premten.

Para ndërtesës qeveritare, të rrethuar nga policia britanike e të kufizuar nga barrikadat, protestuesit valëvitën flamuj izraelitë dhe në duar mbanin pankarta në të cilat shkruhej “Diktator në arrati”, “Unë e dua Aparteidin” dhe “Nuk mund të shijosh një fundjavë në Londër, kur je duke rrëzuar një demokraci”.

Izraelitët britanikë kanë marrë pjesë në disa protesta të mëdha në Londër në javët e fundit, duke u grumbulluar në organizimet e quajtura “Mbroje Demokracinë e Izraelit”.

Netanyahu pritet të takohet edhe me ministren e Punëve të Brendshme të Britanisë, Suella Braverman.

Lajme të ngjashme