S’ka vizitë në Shtëpinë e Bardhë për Netanyahun, shtohet shqetësimi i ShBA-së
Njëmbëdhjetë javë pas fillimit të mandatit të tretë si kryeministër i Izraelit, Benjamin Netanyahu ende nuk është pritur në Shtëpinë e Bardhë, sinjal i qartë i pakënaqësisë së Shteteve të Bashkuara për politikat e qeverisë së tij djathtiste.
Shumica e udhëheqësve të rinj izraelitë i kanë vizituar Shtetet e Bashkuara ose janë takuar me presidentët e tyre deri në këtë kohë të qëndrimit në pushtet, sipas një analize të agjencisë “Reuters” për vizitat zyrtare që nga fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Vetëm dy nga 13 kryeministrat e mëparshëm izraelitë, që udhëhiqnin qeveri të reja, kishin pritur më gjatë.
Shtëpia e Bardhë refuzoi të konfirmonte nëse Netanyahu do të ftohet. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e referoi agjencinë “Reuters” te qeveria izraelite për të marrë informata rreth planeve të udhëtimeve të kryeministrit.
Ambasada e Izraelit në Uashington refuzoi që ta komentonte këtë çështje.
“Porosia që ata qartazi duan ta dërgojnë është: nëse zbatoni politika të kundërshtueshme, nuk ka të drejtë për t’u ulur në Zyrën Ovale”- tha David Makovsky, ish-këshilltar i lartë i të dërguarit të posaçëm për bisedimet Izrael – Palestinë, tani anëtar i Institutit të Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërt.
Që nga fillimi i vitit, rrugët e Izraelit janë mbushur me protestues që e kundërshtojnë planin për t’ia pakësuar kompetencat Gjykatës Supreme. Kritikët thonë se kjo masë largon një kontroll ndaj koalicionit qeveritar.
Në kohën e eskalimit të dhunës në Bregun Perëndimor, autorizimi i pozicioneve të ardhësve nga qeveria djathtiste dhe komentet nxitëse nga një anëtar i kabinetit të Netanyahut me përgjegjësi për vendbanimet hebreje kanë nxitur kritika nga zyrtarët amerikanë, përfshirë sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, gjatë një vizite të tij në Izrael javën e kaluar.
Megjithatë, lidhjet ShBA – Izrael mbeten të ngushta. Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë kanë qenë mirëbërëset kryesore të Izraelit, duke i dhuruar çdo vit ndihma ushtarake me vlerë të më shumë se 3 miliardë dollarëve.
Presidenti Joe Biden e njeh Netanyahun me dekada, dy politikanët kanë biseduar në telefon dhe zyrtarë të lartë të të dyja vendeve kanë bërë vizita nga dhjetori, kur u formua qeveria e Netanyahut, pavarësisht nga kriza politike në Izrael.

