“Dihet kush do ta bëjë Qeverinë më 15 prill apo më vonë”: Gërvalla bashkë me Pecin shkojnë për regjistrim
Deputetët e zgjedhur nga partia Guxo, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kanë shkuar krejt bashkë për t’u regjistruar.
Shkurt, para mediave, ka folur bashkëkryetarja Donika Gërvalla, e cila u pa pranë kryetarit tjetër, Faton Peci.
Sipas saj, “dihet kush do ta bëjë Qeverinë më 15 prill apo më vonë”.
“Dihet kush do ta formojë Qeverinë më 15 prill apo më vonë. S’kemi çka diskutojmë…Me votat e nevojshme” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Theksojmë se siç shihet tashmë në pamjet e publikuara në media, Kurti refuzoi të përgigjet në pyetjen se a i ka votat e nevojshmë për formimin e Qeverisë.
Njëjtë, kryeministri në detyrë veproi edhe të mërkurën gjatë vizitës së tij në Koshare, atje ku u pyet edhe për refuzimin që ia bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takim konsultativ.
Pak ditë më parë, numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, bëri me dije se qeveria e re nuk mund të formohet pa bërë koalicion me ndonjërën prej partive opozitare.
Pas takimit kishte me përfaqësuesit e partive politike, në cilësinë e ish-kryetarit të Kuvendit, Konjufca theksoi se kjo parti në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e ka arritur synimin e saj.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm” – ka thënë ai.