Dialogu në ‘infuzion’ politik: A mund të pritet inkuadrimi i “gjeneralëve më të mirë” në proces?
Tensioni i situatës në veri ka kurthuar në tërësi procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili gjithashtu ecte me një ritëm të ngadaltë. Emisarët evropianë dhe amerikanë kanë shtruar tri kërkesa për Kosovën, të cilët ende nuk dihet nëse do të plotësohen nga Qeveria e Kosovës.
Këshilltaret e jashtëm të Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut, Veton Surroi dhe Blerim Shala kanë vlerësuar se ky proces nga ngecur.
Në deklarimet e tyre të fundit, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e inkuadrimit të energjive të reja në këtë proces.
Publicisti Veton Surroi ka paralajmëruar se për të zhbllokuar dialogun mund të pritet një inkuadrim më i fuqishëm i SHBA-së në proces.
Gjatë një interviste në emisionin “RTK Prime”, ai ka thënë se ky proces ka nevojë për energji të reja.
“Mos e merrni vetëm vizitën e Escobarit, por mendoj se ka edhe brenda administratës amerikane ekziston një rivlerësim i situatës, sepse ky proces po shkon shumë ngadalë me këtë ndërmjetësim dhe ka nevojë për energji plotësuese”, ka thënë Surroi.
Ai nuk ka sqaruar shumë se për çfarë përforcimesh bëhet fjalë
Duke folur me terma ushtarak, Surroi ka bërë me dije se bëhet fjalë për “gjeneralë më të mirë”.
Edhe këshilltari tjetër i jashtëm i qeverisë për procesin e dialogut, Blerim Shala, ka pranuar se dialogu nuk është në dinamiken e duhur.
Në një opinion të tij të botuar në Klan Kosova, Shala ka vlerësuar se dialogu është në ‘infuzion’ politik.
Sipas tij, ka një unanimitet të plotë në qendrat perëndimore se zgjedhjet në veri duhet të përsëriten, se qytetarët serbë duhet të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe se dialogu për zbatimin e marrëveshjes për ecjen para duhet të vazhdojë.
“Brenda dy-tri ditëve, kudo në kryeqendrat perëndimore u arrit një dakordim për këto tri pika, të cilat, nëse do të përkrahen në Prishtinë dhe në Beograd, synojnë që ta ndryshojnë në mënyrë thelbësore gjendjen politike dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, dhe të krijojnë një atmosferë më pozitive në dialogun e Brukselit, i cili tash e dy muaj është në gjendje të ngecjes evidente. Nuk gabohet nëse thuhet që ky dialog është në ‘infuzion’ politik dhe diplomatik”, ka shkruara ai.
Shala ka bërë me dije se vizita e emisarëve perëndimor në Prishtinë dhe Beograd
“Vizita me 5 dhe 6 qershor në Prishtinë dhe në Beograd e Emisarit Special të BE-së për dialog dhe për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe homologut të tij nga SHBA-ja, Gabriel Escobar, ka për qëllim këndelljen e dialogut dhe paqëtimin e Veriut. Zatën, nuk ka dialog me një Veri të këtillë”, ka shkruar Shala.
SHBA-ja dhe BE-ja në pritje të Kosovës
Emisarët special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Kosovë kanë shtruar tri kërkesat për institucionet e Kosovës.
Ata kanë paralajamruar, se nëse këto kërkesa nuk përmbushen Kosova mund të përballet me pasoja.
Gjatë vizitës në Beograd, Emisari Escobar, ka thënë se Kosova duhet t`i marrë parasysh këto kërkesa.
“Mendoj që diskutimet mes Kosovës dhe BE-së do të vazhdojnë, kështu që nuk e di që nëse ka pasur një përgjigje konkrete nga Kosova, shpresoj që Qeveria të njohë atë që po duam të arrijmë…”, ka thënë ai.
Emisari amerikan e përmendi se do të pyetet të premten nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me atë që po ndodhë në krejt këtë situatë, dhe në bazë të raportit të tij, do të ndërmerren disa hapa, ndonëse nuk tregoi se për çfarë bëhet fjalë.
“Nuk kam vendosur afat. Ajo që më është kërkuar në Prishtinë, ka qenë se cilët janë hapat e ardhshëm. Unë dhe z.Lajçak thamë se pas kësaj vizite, jam duke u pyetur të premten nga Shtëpia e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse ka progres, ai duhet të raportojë po ashtu. Nuk është afat, por ky është hapi i ardhshëm për mua, dhe bazuar në raportin tim, do të marrim disa vendime për të ecur përpara.”, është shprehur diplomati amerikan.
Escobar u pyet edhe për pasojat që mund t’i shkaktohen Kosovës, varësisht nga përgjigja e saj, duke përsëritur se “nëse i kthehet shpina propozimit evropian, i kthehet shpina Evropës.
“Nuk është veç BE, jemi ne dhe Britania e Madhe, kështu ne po i inkurajojmë që të koordinohen me ne për të siguruar stabilitet në rajon. Kjo lidhje e partneritetit është e hapur për Kosovën kur e do. Në të njëjtën kohë, nëse nuk duan, janë duke ndërmarrë hapa unilateral, largohen nga lidhja me komunitetin transatlntik, kjo është po ashtu pasojë.”, ka thënë ai.