Dialogu me Serbinë: Këshilltari i Blinkenit sot në Kosovë
Derek Chollet, Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, sot do të vijë për vizitë zyrtare në Kosovë. Pas Kosovës Chollet pritet të qëndrojë edhe në Shkup. E kjo nuk është hera e parë që Chollet vjen në Kosovë.
Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit sot pritet që të zhvillojë takime me krerët më të lartë të shtetit.
Kë pritet ta takojë
Në Prishtinë, diplomati amerikan fillimisht do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 13:30, ndërkaq një orë më pas është paraparë takimi me kryeministrin Albin Kurti. Takimi, fillon nga ora 14:30.
Këshilltari special do ta takojë opozitën, ndonëse ende nuk dihet nëse të gjithë përnjehrë apo ndamas.
Takimin e kryetarit Lumir Abdixhiku me zyrtarin e lartë amerikan, e ka konfirmuar për Nacionalen zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi.
Ndërkaq, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, po ashtu i ka konfirmuar Nacionales takimin e kryetarit Ramush Haradinaj me nënsekretarin Chollet.
“Po, kryetari Haradinaj nesër do të takojë delegacionin nga Departamenti i Shtetit i kryesuar nga Keshilltari Special, z. Derek Chollet.” – ka thënë ai.
Për vizitën e Chollet kanë njoftuar edhe nga DASH. Sipas njoftimit këshilltari i Departamentit Amerikanë do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.
Plani franko-gjerman, pritet që të jetë kryefjala e këtyre takimeve.
Në një intervistë dhënë para disa ditës “Zërit të Amerikës”, Chollet ka lënë të kuptohet se duhen vendime të vështira nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, kur bëhet fjalë për këtë propozim.
“Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajo nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre.” – ka thënë ai.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë shumë detaje rreth vizitës së planifikuar.
Nënsekretari Chollet kishte qenë shumë i qartë në kërkesat e tij ndaj Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, ku haptas kishte shprehur zhgënjimin me Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
Në një postim në Tëitter, Chollet po ashtu kishte “ndarë zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.
Për “zhgënjimin”, ai kishte folur edhe në një intervistë tjetër për “Zërin e Amerikës”, ku kishte konfirmuar se ka pasur shumë biseda me kryeministrin e Kosovës rreth çështjes së targave.
"Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të.” – tha ai.
Chollet në Kosovë pas shumë vitesh
Kjo nuk është hera e parë që Chollet vjen në Kosovë. Për një kohë të gjatë, ai kishte punuar në Administratën e Bill Clitonit, ku shkruante fjalimet për ambasadorin amerikan në OKB, Richard Holbrooke.
Me këtë të fundit, ai kishte vizituar Kosovën vite më parë, gjë që e ka bërë të ditur vetë ai.
“Mezi pres të kthehem në Kosovë. Vizita ime e fundit atje, ka qenë me ambasadorin Holbrooke shumë vite më parë. Mezi pres të shoh miqtë dhe kolegët e mi atje dhe të bisedoj përsëri me presidenten dhe kryeministrin.” – i tha ai Zërit të Amerikës.
Ndryshe, nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.
Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes.

