Deutche Welle raporton për heqjen e barrikadave: Hap i madh
Jo vetëm politika gjermane ka reaguar pas ashpërsimit të tensioneve në veri, edhe mediat gjermane i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në veriun e Kosovës.
Gazeta gjermane “Deutche Welle”, ka shkruar për zhbllokimin e pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell Nacionale.
Pas një njoftimi nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq të mërkurën vonë, serbët në Kosovën veriore të enjten filluan heqjen e barrikadave që bllokuan një vendkalim kyç kufitar në javët e fundit.
Makina dhe kamionë ishin në radhë para pikës kufitare nga ana serbe ku ishte vendosur bllokimi i rrugës, thuhet në raport, ndërsa policia e Kosovës konfirmoi se vendkalimi ishte rihapur zyrtarisht.
Njoftimi i Viçiqit erdhi pas një takimi të krizës natën vonë midis Beogradit dhe liderëve serbë në Kosovë.
Protestuesit kishin ngritur më shumë se 10 postblloqe në veri të Kosovës dhe mund të duhen deri në dy ditë për t'i çmontuar plotësisht ato.
Ata kishin bllokuar edhe pikën kufitare të Merdares, një nga rrugët kryesore që lidh Serbinë me Kosovën.
“Ky nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk mund të bëhet për dy orë, siç e kanë imagjinuar disa”, kishte deklaruar Vuçiq.
Megjithatë, protestat vazhduan të përshkallëzohen kur një ish-polic serb, Dejan Pantiq i cili kishte dhënë dorëheqjen për shkak të targave, u arrestua pasi ai dyshohet se kishte sulmuar policët kosovarë.

Protestuesit serbë filluan të barrikadojnë rrugët që lidhin Serbinë dhe Kosovën.
Serbia kishte urdhëruar gjithashtu ushtrinë e saj të ishte në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet”, kishin deklaruar Bashkimi Evropian dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së në një deklaratë të përbashkët të mërkurën.
Ka rreth 120,000 serbë në Kosovë, e cila ka një popullsi totale prej 1.8 milionë banorësh.


