Detajet e fundit nga situata në Turqi dhe Siri pas tërmeteve vdekjeprurëse - NACIONALE

Detajet e fundit nga situata në Turqi dhe Siri pas tërmeteve vdekjeprurëse

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Tërmetet e së hënës që goditën Turqinë e Sirinë, deri më tani kanë shkaktuar mbi 5 mijë të vdekur në të dyja vendet dhe mbi 20 mijë të lënduar.

Duke qenë se vendet po vazhdojnë të përballen me pasgoditje të vogla, temperatura të ftohta e rrugë të dëmtuara, janë vështirësuar edhe përpjekjet e kërkim shpëtimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të kalojë edhe 20 mijë, ndërsa është njoftuar se nga këto tërmete mund të preken rreth 23 milionë njerëz, përfshirë 1.4 milionë fëmijë.

Deri më tani, numri i vdekjeve të konfirmuara si në Turqi ashtu edhe në Siri është 5,261.

Ndërkohë, nënkryetari turk Fuat Oktay, ka thënë se deri më tani janë nxjerrë nga rrënojat më shumë se 8 mijë persona, me rreth 380 mijë të strehuar nëpër hotele, qendra tregtare, stadium, xhami dhe qendra komunitare.

Pasditen e së martës, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka shpallë 10 provincat e prekura zonë fatkeqësie, duke vendosur një gjendje të jashtëzkonshme për tre muaj.

Është bërë e ditur po ashtu se Turqia ka vendosur më shumë se 24,400 personel kërkim-shpëtimi në zonën e tërmetit, ndërsa ky numër pritet të rritet me ardhjen e njerëzve shtesë.

Sekretari i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly ka njoftuar për tre shtetas britanikë të zhdukur.

Ndërkohë, sipas mediave lokale AFP, në veri-perëndim të Sirisë, si pasojë e tërmeteve të paktën 20 anëtarë të Shtetit Islamik janë arratisur nga një burg.

OKB ka njoftuar po ashtu se Turqia ka ndaluar përkohësisht ndihmën për Sirinë, për shkak të pasojave të tërmetit shkatërrues, duke lënë punonjësit e ndihmës duke u përballur me problemin e ndihmës në një vend tashmë të thyer nga lufta.

Lajme të ngjashme