Detaje nga aktakuza: Hajdar Hoxhaj dhe ish-bordi i NPB-së e kanë dëmtuar ndërmarrjen për 28 milionë e 700 euro
Ish-kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore(NPB), Hajdar Hoxhaj, dhe ish anëtaret e bordit të kësaj ndërmarrje Lendita Muderrizi, Bekim Pireva, Arbnora Jashanica dhe Xhevdet Leci dyshohet se i kanë shkaktuar dëm NPB-së 28 milionë e 700 mijë euro.
Në aktakuzën e siguruar nga Kallxo.com, të njëjtit akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.
Aty përshkruhen në detaje veprimet që kjo ndërmarrje ka ndërmarr për ndërtimin e projektit afaristo-banesor në lagjen Lakrishte të Prishtinës.
Sipas aktakuzës, ish-kryeshefi dhe ish-anëtaret e bordit me qëllim të përfitimeve të dobisë pasuror të kundërligjshme për persona të tjerë dhe në dëm të ndërmarrjes kanë tejkaluar kompetenca e tyre.
Në mënyrë të kundërligjshme ata kanë miratuar “Rregulloren për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të NPB-së përmes Ndërtimit”.
“Realizimin e këtij projekti e kanë mundësuar po ashtu duke u pajtuar shprehimisht në takimin e datës 22.04.2021, që draft-marrëveshja kryesore për bashkëinvestim, pra kontrata, ta referojnë te Bordi i Aksionerëve për aprovim, në bazë të së cilës kontratë në mënyrë të kundërligjshme kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik, të tjetërsohet në pronësi private”, është thënë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në aktakuzë jepen detaje edhe për veprimet e ndërmarra nga ish-kryeshefi,
“I ka shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% të kësaj ndërmarrje, përmes tjetërsimit të paluajtshmërisë e cila pasuri në bazë të ligjit mund të përdoret vetëm për interes publik”.“… me 17.05.2021 në cilësinë e kryeshefit ka nënshkruar kontratën/marrëveshjen kryesore për bashkëinvestim me kompanitë private, të cilën e ka noterizuar te Noteri, edhe pse ka qenë në dijeni se kontratë në fjalë ishte e dëmshme për NPB-në, duke qenë se përmes kësaj kontrate mundësohej që prona t’i jepen bashkëinvestorit të përzgjedhur të kompanive private në tërësi në shfrytëzim të përhershëm” është thënë në aktakuzë.