Dështon sërish konstitumi i Kuvendit: VV-ja nuk heq dorë prej skenarit të saj, Dehari vazhdon me shkelje kushtetuese
Deputetët e Kosovës as sot nuk kanë arritur pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit.
Edhe në përpjekjen e 45-të është parë skenar i njëjtë. VV-ja nuk ka hequr dorë nga skenari i saj dhe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka vazhduar me refuzimin e zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Ai edhe sot ua ka ndërpre fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët dilnin në foltoren e Kuvendit.
Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 55 vota, kudër dhe abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të dielën në orën 11:00.
Një veprim të tillë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë cilësuar si shkelje të re të Kushtetutës së Kosovës.
Kjo ka bërë që PDK-ja dhe LDK-ja sërish për këtë çështje t`i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Derisa deputetët bëjnë përpjekjen e radhës, afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit i vendosur nga Kushtetuesja është duke shkuar drejt fundit.
Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që Kuvendit duhet të konstituohet brenda një muaj. Ky afat, sipas aktgjykimit, përfundon më 26 korrik.
Megjithatë, Kushtetuesja nuk ka treguar se çka ndodhë, nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.
Për këtë arsyeje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar dërgimin e një lënde të re në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Nëse Kuvendi nuk konstituohet shpejt, ajo ka bërë me dije se do t`i tregohet Kushtetuese për të kërkuar sqarim në lidhje me afatin prej 30 ditësh, i cili përmendet në aktgjykim.
Ajo ka deklaruar se Kushtetuesja duhet të sqarojë se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit që është përmendur në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.