Deri në fyt me gjyqe e borxhe: Milioneri Sami Kurteshi me të dhëna të çuditshme
Një aktakuzë për sulm; një padi për shpifje ku i kërkohen 100 mijë euro dëmshpërblim nga ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka; shumë fjalime të gjata e përplasje nëpër mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhje; pasuri të majme të paluajtshme por edhe para ‘cash’. Kështu mund të përshkruhet në pak fjalë karriera dhe veprimtaria e anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.
Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, në deklarimin e pasurisë në vitin 2021, ka bërë të ditur se e posedon një shtëpi në vlerë 1 milion euro. Këtë thotë se e ka trashëgimi. Në 500 mijë euro vlera, Kurteshi posedon edhe parcela të tokës, që gjithashtu thotë se i ka trashëgimi nga familja.
Të dhënat e çuditshme që Kurteshi ka deklaruar në AKK, shpalosen më poshtë ku ai njofton se ka një bibliotekë në vlerë 70 mijë euro të cilën thotë se e ka kombinim të trashëgimisë, por edhe të blerë. Një veturë tjetër që e vozit Kurteshi, ka vlerë 7 mijë euro.
Gati 20 mijë euro i ka të deklaruara para ‘cash’ që i posedon nëpër bankat e Kosovës. Por, me para në banka, ai ka raportuar për shuma të majme parash që ka borxh. 200 mijë euro Kurteshi thotë se ua ka borxh vëllezërve, përderisa 100 mijë të tjera një personi fizik për një hua ndërtimi.
Sami Kurteshi bëri bujë javën e fundit me një aktakuzë për sulm ndaj një punëtori të KQZ-së, e më pas Nacionale solli edhe padinë që Kurteshit ia kishte bërë Valdete Daka për shpifje, duke ia kërkuar 100 mijë euro.
Por, kush është Sami Kurteshi?
Sami Kurteshi ka lindur më 5 qershor 1960 në Gjilan, aty ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Më pas, ai është regjistruar në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, kurse më 1983 është regjistruar në ETH, Cyrih. Në po atë vit është arrestuar në Beograd për shkak të veprimtarisë politike dhe është liruar nga burgu më 1990.
Në periudhën 1991 – 1996 ka vazhduar veprimtarinë si anëtar i Kryesisë dhe më vonë si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë.
Gjatë viteve 1992-1996 ka përfaqësuar KMDLNJ në Komisionin dhe Nën-Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racial (CERD), pranë OKB-së, në Gjenevë. Ai ka qenë autor dhe bashkautor i rezolutave të Komisionit dhe Nënkomisionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Për shkak të veprimtarisë në KMLDNJ, ai ishte ndjekur nga pushteti serb dhe përsëri kishte marrë rrugën për në Zvicër.
Historia e Kurteshit punëtor
Krahas angazhimeve që u përmendën më lart, Sami Kurteshi ka një veprimtari të bujshme Në vitet 1997-2001, Kurteshi ishte bashkëpunëtor në Organizatën Zvicerane për Refugjatë (Schweizerische Flüchtlingshilfe SFH). Gjatë viteve 1999-2005 ishte bashkëpunëtor dhe udhëheqës i kurseve të ndryshme profesionale për bashkëpunëtorët e Organizatës Zvicerane për të Drejta të Njeriut dhe Refugjatë: HEKS, SAH dhe SRK.
Nga viti 2003 ishte ligjërues privat në Qendrën Zvicerane për Edukim të personelit të burgjeve në Zvicër (Schweizerische Ausbildungszentrum fuer das Strafvollzugspersonal – SAZ) në Friburg.
Kurteshi, Avokat i Popullit
Në politikë Sami Kurteshi mund të mos ngelet në histori. Por, ai do të jetë përgjithmonë në historinë e institucionit të Avokatit të Popullit, pasi është personi i parë që ka mbajtur këtë post. Më 4 korrik 2009, Kurteshi kishte marrë votat e mjaftueshme në Kuvend për t’u zgjedhur në atë post, të cilin e kishte mbajtur për një mandat të plotë 5-vjeçar.
Kurteshi, politikan
Në fund të vitit 2015, Sami Kurteshi filloi angazhimin si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje. Në periudhën 2017-2019 ishte deputet i kësaj partie në legjislaturën e VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kurteshi në KQZ
Më 6 shkurt 2020, Sami Kurteshi ishte shumë pranë Hashim Thaçit. (I pari, pranë Kryetares së KQZ dhe Presidentit të RKS)
Kjo për faktin se Kurteshi ishte në mesin e anëtarëve të zgjedhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilët ishin betuar para presidentit. Kurteshi ishte propozuar nga LVV.
Më 19 maj 2021, emri i Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë kishte ndryshuar. Por, nuk kishte ndryshuar emri i njërit prej anëtarëve të betuar, pasi Sami Kurteshi përsëri u betua si anëtar i KQZ, propozuar nga partia e njëjtë.
Sami Kurteshi ka dhe një aktakuzë për sulm ndaj një punëtori të KQZ-së. Gazeta Nacionale do të publikojë një artikull të veçantë nesër, ku do të ketë detaje nga kjo aktakuzë,
Për padinë e ish-kryetares së KQZ-së për Kurteshin, mund të lexoni më gjerësisht KËTU.