Deputetët e VV-së me pritje të çuditshme për vizitën e Ramës në Serbi
Disa deputetët të VV-së me kureshtje të madhe po e presin vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd. Ata janë shprehur shumë të interesuar të shohin konferencën e tij të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, e cila do të mbahet në ora 20:00.
Disa nga deputetët e partisë në pushtet në rrjete sociale kanë treguar për veprimet që duhet t`i bëjë kryeministri shqiptar përballë presidenti serb.
E para që ka shtuar një pyetje për Ramën ka qenë deputetja Arjeta Fejza.
Në profilin e saj në “Facebok, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar se kryeministri Rama në Beograd duhet ta denojë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.
“Në turin ballkanik të Ramës që përfundon në Serbi është me rëndësi të shohim se a do t’ja përmend Vuçiqit gjenocidin e Serbisë mbi shqiptarët?!”, ka shkruar ajo.
Pas saj, është aktivizuar edhe deputetja tjetër e VV-së, Fitore Pacolli.
Deputetja e partisë në pushtet ka pyetur nëse kryeministri Rama nga Beogradi do ta dënojë rrëmbimit e tre policëve në Kosovë nga Serbia.
“Rama takimin e fundit e ka në Serbi. Gjatë kësaj vizite a do ta dënojë ai agresionin e Serbisë me rastin e rrëmbimit të tre policëve në Kosovë nga njësitë speciale policore dhe ushtarake?”, ka shkruar Pacolli në profilin e saj në “Facebook”.
Ndërsa, deputeti Dimal Basha pret që Rama ta pyet Vuçiqin pse Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruar.
“Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit.” Aty ka qenë edhe Kryeministri Rama. Marrëveshjet e nënshkruara kanë të bëjnë: mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor; mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë; si dhe, marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar këto marrëveshje, kurse Bosnja e Serbia JO! Le ti pyet KM Rama miqtë e tij në Bosnjë e Serbi, pse nuk i ratifikojnë marrëveshjet që i kanë nënshkruar? Përndryshe mos hajde me na fol për marrëveshje e si po na ikin ato, e se si ti je shpëtimtari!”, ka shkruar Basha.
Zëri i arsyes
Jo të gjithë deputetët e VV-së e kanë përkrahur kryeministrin Albin Kurt në qëndrimin e tij për të mos e takuar kryeministrin Rama gjatë vizitës së djeshme në Kosovë.
Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, është ndoshta deputeti i vetëm, i cili nuk është pajtuar me qëndrimin e kryeministrit Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti ka gabuar që nuk e ka pritur Ramën në takim.
“Unë e kam thënë edhe më herët që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka bërë shumë gabim në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, besoj që i kish kontribu në ecjen e situatës përpara dhe përmirësimin e gjendjes sikur të mbahej ai takim, mirëpo natyrisht mendoj që është edhe shumë e gabueshme mospritja e kryeministrit Rama nga kryeministri Kurti, për shkak që besoj se këto gjëra duhet të tejkalohen dhe gabimi nuk mund të përmirësohet me gabim, nëse ka gabuar kryeministri Edi Rama në Shqipëri, atëherë nuk duhet të gabojë kryeministri Kurti në Kosovë”, ka shkruar Rrahmani.
Në kuadër të një turi rajonal, kryeministri Rama dje ka vizituar Kosovën ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Gjatë vizitës, ai nuk është takuar me homologun e tij, Albin Kurti. Kjo pasi ky i fundit ka refuzuar një gjë të tillë. Takimin me Ramën Kurti e kishte kushtëzuar me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila ishte anuluar nga Rama. Kryeministri i Shqipërisë, në Kosovë ka ardhur pas vizitës në Maqedoninë e Veriut. Gjatë ditës së sotme Rama ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Kurse, në mbrëmje ai do ta vizitojë Serbinë.

