Deputetët e Ugandës e miratojnë projektligjin për dënimin me vdekje për homoseksualizëm - NACIONALE

Deputetët e Ugandës e miratojnë projektligjin për dënimin me vdekje për homoseksualizëm

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Ugandës kanë miratuar një projektligj anti-LGBT, i cili do t’i bënte aktet homoseksuale të dënueshme me vdekje, duke nxitur reagime të fuqishme nga aktivistët për të drejtat e komuniteteve.

Shumica dërrmuese e 389 deputetëve, me përjashtim të tre prej tyre, votuan të martën vonë për projektligjin e ashpër anti-LGBT, me të cilin lejohen dënimi me vdekje e dënimi me burgim të përjetshëm për marrëdhënie homoseksuale si dhe për “rekrutimin, promovimin dhe financimin e aktiviteteve” mes personave me gjini të njëjtë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Një person që e kryen shkeljen e homoseksualitetit të rënduar dhe që është përgjegjës, me dënimin për ta vuajtur vdekjen”- thuhet në projektligjin e paraqitur nga Robina Rwakoojo, kryetare e komisionit për çështje ligjore e parlamentare.

Projektligji do t’i dërgohet presidentit Yoweri Museveni, i cili mund ta përdorë veton ose ta nënshkruajë atë për ta shndërruar në ligj. Në një fjalim të mbajtur rishtazi, u duk sikur ai e përkrahte këtë projektligj.

Projektligji në Ugandë është lëvizja më e re në një varg masash për ashpërsimin e situatës për komunitetin LGBT në Afrikë, ku homoseksualizmi është i paligjshëm në shumicën e shteteve. Në Ugandë, shtet kryesisht konservator e me popullsi të krishterë, marrëdhëniet homoseksuale tashmë ishin të dënueshme me burgim të përjetshëm.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër kundër projektligjit, duke e përshkruar atë si “legjislacion të urrejtjes”.

“Dispozitat e projektligjit anti-homoseksual janë barbare, diskriminuese dhe antikushtetuese”- tha Sarah Kasande, avokate dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme