Deputetët e lënë vetëm Kurtin për mësuesit: Basha e Kusari e mbështetën, shumica heshtin ose kundërshtojnë - NACIONALE

Deputetët e lënë vetëm Kurtin për mësuesit: Basha e Kusari e mbështetën, shumica heshtin ose kundërshtojnë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mos-procedimin e pagave për mësimdhënës e ka ndarë partinë në pushtet. Shumë deputetë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tashmë po e shprehin publikisht kundërshtimin e tyre, ndërsa shumë të tjerë nuk janë shprehur. Kush e kush janë kundër dhe si u mor ky vendim?

Në mëngjesin e 3 tetorit, mësimdhënësit që e filluan mësimin për herë të parë në këtë vit shkollor, po prisnin që t'i merrnin pagat e tyre, megjithëse pa rritjen e kërkuar në formë sindikale.

Sidoqoftë, po në atë mëngjes, Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, do t'i zinte në befasi mbi 24 mijë mësimdhënësit, por edhe gjithë popullin e Kosovës përmes një deklarate.

“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat... parashihet që, sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët në të cilat nuk janë në vendin e punës,”tha ajo.

Por, kjo deklaratë e zuri në befasi edhe Vetëvendosjen. Ardian Gola, kryesues i Komisionit Parlamentar për Arsim, në deklaratën e vetme për medie deri tash u shpreh se nuk dinte gjë.

“Unë duhet me këqyr a janë ekzekutu apo jo pagat, nëse jo, unë krijoj një qëndrim dhe ta artikuloj një mendim pa problem, por tash nuk mundem”, - i tha Gola Periskopit.

Megjithatë, kanë kaluar tashmë më shumë se 24 orë dhe nuk ka as mendim të krijuar e as të artikuluar nga z. Gola. Nacionale ka provuar që ta kontaktonte gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mesditës së sotme, por deputeti e ka pasur të mbyllur telefonin. Në anën tjetër, ai as nuk ka shkruar asgjë në asnjërin prej dy profileve të tij në Facebook.

Gola mund të jetë "goli" që na tregon se vendimi i Qeverisë për mos-ekzekutimin e pagave ishte marrë nga vetëm pak njerëz.

Vetë Qeveria e Kosovës ishte e vonshme në reagim. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, e konfirmoi vendimin vetëm 4-5 orë pas znj. Kusari Lila.

Prapëseprapë, jo të gjithë kanë mbetur të heshtur si Ardian Gola.

Deputetët e VV-së kundër Qeverisë

Deputetja Jeta Statovci mbrëmë "e çau rrethimin" dhe e shprehu e para kundërshtimin ndaj vendimit të Qeverisë.

“...nuk mund të pajtohem me mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator” – tha znj. Statovci.

Statovci konsiderohet të jetë një ndër njerëzit më të afërt të presidentes Vjosa Osmani, megjithëse kjo e fundit nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin e saj.

Megjithatë, publikisht deputete Statovci u mbështet nga bashkëpartiaku i saj me emrin Haxhi Avdyli.

Këtyre dy deputetëve iu bashkua edhe deputeti Fatmir Humolli, i cili, duke i mbrojtur mësimdhënësit, madje edhe shprehu dyshime se Qeveria mund të jetë duke bërë një gjë të tillë qëllimisht.

“Ka dyshime që Qeveria dëshiron ta vazhdojnë grevën e punëtorëve të arsimit, kurrgjë tjetër. Në mënyrë tërthorazi po i thërret punëtorët e arsimit që të vazhdojnë, sepse ka nevojë për destabilizim të vendit, kaq”, ka thënë z. Humolli në medie.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme ka pasur edhe deklarime të tjera kundërshtuese.

Eman Rrahmani ishte i katërti deputet kundërshtues, ndërkohë Alban Bajrami ishte i pesti. I gjashti ishte Visar Korenica që në një prononcim për Nacionalen u shpreh:

“Jam i të njëjtit mendim me dy kolegët e mi. Pra pagat të procedohen dhe orët të kompensohen.”

Deputetët mbështetës

Përveç shefes së deputetëve, Mimoza Kusari Lilës, deputetët e tjerë duket se nuk kanë qenë as të informuar mbi vendimin e Qeverisë Kurti.

Në mënyrë e tij interesante, mbështetje deri tash është parë duke i dhënë vendimit deputeti Dimal Basha. Por, përveç Bashës dhe Kusarit, nuk ka qenë e mundur të evidentohen deputetë të tjerë mbështetës të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Shumica dërrmuese e deputetëve të Vetëvendosjes vazhdojnë të mbesin të heshtur për çështjen.

Mënyra se si do të shprehen në orët apo ditët në vijim, mund të përcaktojë shumë nga ajo që do të ndodhë brenda subjektit politik në pushtet.

Lajme të ngjashme