Kusari-Lila e VV-së: Ligji e përcakton qartë, nuk kompensohen grevistët
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ashtu siç parashihet me Ligjin për Grevën, punëtorët që kanë qenë në listën e grevës nuk do të kompensohen për ditët që nuk kanë qenë në vendin e tyre të punës.
“Po e qartë, megjithatë Ligji për Grevën e përcakton saktë edhe kompensimin apo moskompensimin për ata që janë pjesë në grevë. Kjo ka qenë një komunikim mes Ministrisë së Financave dhe agjencioneve buxhetore edhe për muajin e kaluar kur janë kërkuar azhurnimi i listave për punëtorët të cilët kanë qenë në grevë,” - ka thënë ajo, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Me ligj parashihet që punëtorët e sektorit publik, por edhe privat... parashihet që sipas rregullave të përcaktuara për grevën, nuk kompensohen për ditët në të cilët nuk janë në vendin e punës”, ka thënë ajo.
“Është përgjegjësi e agjencioneve buxhetore në këtë rast që të bëjnë azhurnimin e listës,” - shtoi ajo.
“Pyetjet duhet të bëhet te institucionet relevante”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të VV-së kur u pyet nëse nuk do të dalin pagat këtë muaj.
Kutjojmë se edhe muajin e kaluar, Ministria e Financave nuk i kishte kompensuar punëtorët grevistët për ditët që grevonin.
Ndryshe greva është pezulluar deri më janar 2023, ndërsa sot ka filluar procesi mësimor pas një muaji grevë.
