Dënohet me pesë muaj burg ish-shefi financiar i Donald Trump
Ish-shefi financiar i Donald Trump, Allen Weisselberg, është dënuar me pesë muaj burg për rolin e tij në një skemë dhjetëvjeçare të mashtrimit tatimor, pasi dëshmoi si dëshmitar i shtetit kundër Organizatës Trump.
Sipas CNN, Weisselberg, 75 vjeç, pritet të dërgohet në Rikers Island, burgun famëkeq të Nju Jorkut, për të nisur menjëherë vuajtjen e dënimit.
Në një marrëveshje të bërë me prokurorët ai është deklaruar fajtor gushtin e kaluar për 15 krime. Dihet se si pjesë e marrëveshjes atij i është kërkuar të dëshmojë me vërtetësi në gjyqin e Organizatës Trump, të paguante 2 milionë dollarë taksa të prapambetura, interesa dhe gjoba dhe të hiqte dorë nga çdo e drejtë apelimi.
Weisselberg ka pranuar se duhet të kishte paguar taksa për kompensimin jashtë regjistrave, që arrinin afërsisht 200,000 dollarë në një vit.
Nëse nuk do të kishte një marrëveshje, Weisselberg mund të përballej me një dënim prej pesë deri në 15 vjet burg. Por, me marrëveshjen dhe meritën e marrë për sjellje të mirë, bëhet e ditur se atij mund t’i rrëzohet edhe një e treta e dënimit, që do të thotë se mund të vuajë në burg rreth 100 ditë.
