Demokracia në Veprim: Interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e votimit në veri - NACIONALE

Demokracia në Veprim: Interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë në procesin e votimit në veri

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Demokracia në Veprim” ka thënë se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimin për ose kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit për medie, procesi i votimit deri më ora 09:00 është i qetë dhe nuk vërehet interes i qytetarëve për pjesëmarrje në votim.

“Demokracia në Veprim” përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Vëzhguesit tanë kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë. Sipas vëzhguesve, të gjitha qendrat e votimit që janë vizituar deri tani, janë hapur me kohë dhe komisonerët kanë qenë të pranishëm. Policia e Kosovës është prezente dhe po garanton sigurinë e procesit.” – thuhet në njoftimin e tyre.

Më tej, ata kanë pasur disa kritika edhe për KQZ-në.

Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit.Sa i përket administrimit të procesit, KQZ është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit. Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyer.” – thuhet në njoftim.

Tutje, Demokracia në Veprim ka dhënë thënë se në të gjitha vendvotimet ka të vendosuar kamera të sigurisë, por që sipas tyre, ato janë të vendosura në “pozicionin që mund t’a cenojnë fshehtësinë e votës dhe mund të shihen si intimidim nga votuesit”

Procesi i votimit brenda disa Qendrave të Votimit është aranzhuar për disa vendvotime në një hapësirë të përbashkët sipas modelit të hapur. Poashtu është vërejtur se në të gjitha vendvotimet ka të vendosura kamera të sigurisë, ndërkohë që kabinat e votimit janë të vendosura në pozicionin që mund t’a cenojnë fshehtësinë e votës dhe mund të shihen si intimidim nga votuesit. instruksionet për vendosjen kabinave të votimit në këtë mënyrë janë përfshirë në udhëzuesit që KQZ ka përgatitur. Kjo është hera e parë që qytetarët do të votojnë nën survejimin e kamerave.” – thuhet ndër të tjera.

Nga ana tjetër, Në katër këto komuna janë hapur të gjitha qëndrat e votimit, ku gjithsej janë 23 qendra të votimit.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se nga të dhënat që kanë, janë hapur të gjitha qendrat e votimit.

Duke u mbështur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit”

Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit në këto katër komuna është 23, me gjithsej 63 vendvotime.” – ka thënë ai.

Tutje, ai ka bërë thirrje ndaj qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën për votim.

Në emër të KQZ-së, ftoj të gjithë qytetarët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre për të marrë pjesë në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarit të komunës së tyre.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimt për apo kundër largimit të kryetarëve është 46,556 votues.

Lajme të ngjashme