Demarkimi i kufirit, “çështja e ndjeshme” e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes Kosovë - Serbi
Duket në horizont një dinamikë e re në dialogun Kosovë – Serbi. Ka shumë arsye për të besuar një gjë të tillë.
Letra e përbashkët e Macron dhe Scholtz ndaj krerëve shtetërorë, Kurtit e Vuçiqit dhe angazhimi i këshilltarëve enkas për këtë çështje ka dhënë indikacione se BE, me mbështetjen edhe të ShBA-së do të angazhohet edhe më tepër rreth një marrëveshjeje finale.
I dërguari i posaçëm i BE-së për këto negociata, Miroslav Lajçak dje përmes rrjetit social “Twitter” konfirmoi takimin me Emmanuel Bonne, duke e falënderuar këtë të fundit për kontributin.
“Shumë i lumtur që u takova sot në Paris me Emmanuel Bonne, këshilltarin kryesor për politikë të jashtme të presidentit Macron. Ne folëm për vizitën tone të fundit në Prishtinë dhe Beograd, si dhe për zhvillimet aktuale dhe hapat e ardhshëm”, shkroi Lajçak.
Në anën tjetër, sot gjatë ditës, Abc News publoi një kornizë të përgjithshme të marrëveshjes Kosovë – Serbi.
Korniza duket t’i ketë gjashtë pika, ku përfshihen marrëdhëniet dypalëshe.
1: Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe:
Marrëdhëniet dypalëshe (bazuar në njohjen e ndërsjellë (normalizimin)
-Konteksti ndërkombëtar
2: Trajtimi i së kaluarës
– Personat e zhdukur me forcë, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe drejtësia tranzicionale
– Personat e zhvendosur
– Ekonomia dhe aspektet financiare
– Kompensimi i pronës së marrë ose të shkatërruar, private dhe publike
– Rikthimi i të gjitha dokumentave publike dhe ekspozitave arkeologjike dhe etnologjike
3: Bashkëpunimi në të ardhmen
-Vendosja e katër lirive evropiane në marrëdhëniet dypalëshe
4: Të drejtat respektive të pakicave
-Aranzhime specifike dhe garanci të ndërsjella shtesë për shqiptarët në Serbi dhe serbët në Kosovë.
5: Shqyrtimi i marrëveshjeve ekzistuese dhe zbatimi i tyre (zbatimi i plotë)
6: Dispozitat përfundimtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
Konteksti ndërkombëtar
Gjithnjë sipas burimeve të mediumit në fjalë, dokumenti veçse u është dorëzuar të dyja palëve.
Aty përmendet edhe çështja e kufijve. Është folur për formate të ndryshme të dokumentit përfundimtar të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe sesi do të trajtohej kjo çështje, por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për propozimet e bëra.
Një nga modelet e diskutueshme që ka të bëjë me kufijtë dhe pasojat që ka mungesa e demarkimit të qartë dhe përfundimtar të tyre, është ai i Izraelit.
Shteti i Izraelit u pranua në Kombet e Bashkuara (OKB) si anëtari i tij i 59-të më 11 maj 1949, por më shumë se 70 vjet pasi shpalli shtetësinë, kufijtë e tij ende nuk janë zgjidhur plotësisht.
Udhëheqja hebraike në Palestinë shpalli krijimin e Shtetit të Izraelit më 14 maj 1948, në momentin kur mandati britanik përfundoi, por pa shpallur kufijtë e tij.
Për dialog raportohet të kenë diskutuar edhe dy kryeministrat shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama në takimin e djeshëm.
Kujtojmë Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të takohen çdo muaj, ndërsa edhe më tutje nuk është caktuar data e takimit të ardhshëm.

