Demantohen pretendimet e LV-së se Qeveria Kurti ndryshoi gjendjen në veri brenda vitit
Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë dhe aktivistë të shoqërisë civile në veri kanë dëmtuar pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se Qeveria Kurti brenda një viti ka arritur të bëj ndryshme të më mëdha në pjesën veriore të vendit.
Dy ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje, në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”, ka publikuar një video në lidhje me përparimet e arritura gjatë qeverisjes së tyre në atë pjesë të vendit.
Me pretendimet e partisë në pushtet nuk pajtohen aktivistët që veprojnë në Prishtinë dhe në pjesën veriore të vendit.
Sipas tyre, ndryshimet në atë pjesë nuk mund të bëhen për një periudhë të shkurtër kohore.
Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën Nacionale se rrethanat që ekzistojnë atje i vështirësojnë ndryshimet.
“Problemi është që gjendja në veri nuk ndryshon shpejt dhe nuk ndryshon brenda vitit, për shkak të rrethanave që i dimë, për shkak të realitetit ndryshe, nga pjesa e Kosovës që fatkeqësisht është i ndërtuar atje”, ka pohuar Mushkolaj.
Nëse përmirësimi i gjendjes do të matej me aksione sporadike e të ndara, sipas Mushkolajt, kjo do të ngjante më herët – në qeverisjet e kaluara, të cilat kishin ndërmarrë aksione të ngjashme.
“Njësoj kishim mundur të themi edhe në 2011, kur qeveria e atëhershme në krye me Hashim Thaçin patë fillu aksionin në veri të vendit. Kështu që në këtë rast, VV përpara se me u mburrë, ose përpara se me i thurë lavde vetes për ketë fare qeverisje 1 vjet e 4 muaj, është mirë që ndërmarrë veprime më sistematike, të cilat njëmend do ta ndryshojshin gjendjen atje. Veprime siç është, në njëfarë forme pranimi i institucioneve të Kosovës nga qytetarët dhe jo të atyre të Serbisë dhe duke vazhduar deri te funksionimi i institucioneve paralele”, ka vlerësuar Mushkolaj.
Mungesën e ndryshimeve përmbajtjesor në atë pjesë të vendit e konstaton edhe aktivisti i shoqërisë civile, Ognjen Gogic, i cili jeton dhe vepron atje.
Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se në atë pjesë të Kosovës nuk ka ndryshime thelbësor të gjendjes.
“Në anën tjetër, jam dakord që lëvizjet e ndërmarra nga Qeveria e Kurtit do të kenë një ndikim të caktuar në situatën në veri të Kosovës. Por nuk do të thosha se situata tashmë ka ndryshuar në thelb, pasi nuk mund të ndodhë brenda natës” ka thënë Gogic për Nacionalen.
Më tutje Gogic, shprehet se deklarimet e tilla të partisë në pushtet bëhen për poena politik.
“Në mesazhet e fundit të LVV-së, theksohej se ata ia dolën mbanë diçkaje që partitë e tjera nuk e kishin bërë më parë. Duke marrë parasysh këtë, unë i shoh ato deklarata paksa të ekzagjeruara pasi qartësisht kanë një qëllim politik ditor”, ka vazhduar Gogic.
Në pikëpamjen e Gogic edhe aksionet e ndërmarra nga Policia e Kosovës atje, janë të varura nga një kontekst më i gjerë.
“Unë supozoj se veprimet që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës për t'i dhënë fund kontrabandës dhe prodhimit të paligjshëm të drogës në veri të Kosovës do të sjellin një rritje të sundimit të ligjit dhe gjendjes së sigurisë. Duhet të kihet parasysh se këto veprime janë ndërmarrë së bashku me vendosjen e sanksioneve amerikane ndaj individëve dhe kompanive nga veriu”, ka vlerësuar Gogic.
Video e lëshuar e Vetëvendosjes
Para dy dite, në profilin e saj zyrtar në “Facebook”, LV-ja ka publikuar një video në të cilën numëron vendimet që Qeveria Kurti ka marrë për këtë pjesë të vendit.
Pretendimi kryesor i këtij materiali është se në veri të vendit, me qeverisjen e Kurtit gjendja ka ndryshuar në tërësi.
“Me vetëm një vit e gjysmë të qeverisje të Kryeministrit Kurti, referendumi i Serbisë nuk u lejua të mbahej. Zgjedhjet e Serbisë, që për 20 vite u mbajtën pa pengesë, nuk u lejuan. Energjia elektrike që për 20 vite nuk u pagua, tash e tutje do të paguhet. Aty ku më parë policia shkonte vetëm me helikopter, u ndërtuan tri stacione të reja policore. Mallra të pa doganuara u konfiskuan. Rrugët e kontrabandës u mbyllën. Qendrat e kriptovalutave u mbyllën. Laboratorët e prodhimit të drogave u mbyllën. Është vendosur rend dhe ligj si në asnjë pjesë tjetër të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë shpërndarje të Vetëvendosje.
Ky material niste me një serë të bëmash nga qeveritë e kaluara – tërësisht negative.
Në të vërtetë, kjo video nisë me dy fjali të shkëputura nga fjalimi i Hashim Thaqit në Mitrovicën e pasluftës, të cilat etiketohen si pikënisje e të gjitha ngjarjeve atje.
Në një formë të njëanshme, të gjitha qeverisjet pa dallim përshkruhen si shkaktare dhe fajtore të drejtpërdrejta të gjendjes në veri të vendit.
Ndërsa në anën tjetër, sipas përshkrimit të këtij materiali çdo gjë pozitive në Veri, ka filluar një vit më parë – me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
