Nisin protestat e serbëve në Veri e Graçanicë - NACIONALE

Nisin protestat e serbëve në Veri e Graçanicë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në komunat me shumicë serbe të Kosovës kanë nisur grumbullimi i qytetarëve serbë për ta kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Protesta është paralajmëruar të nisë nga ora 12:00, përderisa kundërshtime të tilla pritet të ketë në Graçanicë dhe Shtërpcë.

Shtetet e QUINT-it kanë bërë thirrje që të mos ketë dhunë, e dy shtetet Kosova e Serbia, të synojnë paqen.

“Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian marrin parasysh demonstratat e planifikuara sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës. Qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatimi i ligjit është përgjegjës për t'i mbrojtur. Forcat e rendit kanë detyrimin për të ruajtur rendin publik dhe duhet ta bëjnë këtë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit. Quinti dhe BE-ja gjithashtu përsërisin thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përmbajtje dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet”, thuhet në komunikatën e shteteve të Quint-it.

Në anën tjetër, pikërisht sot, gjyqtarët e stafit administrativ serb nuk kanë dalë në vendet e tyre të punës.

Kësaj proteste i parapriu mungesa e marrëveshjes për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër, Kryeministri Kurti ka ftuar qytetarët serbë të mos marrin pjesë në këtë protestë.

Po ashtu, për protesta u raportua se do të mbahen edhe në komunën jugore të Shtërpcës, si dhe në Graçanicë.

Gazeta Nacionale dje ka raportuar se shtetet e Quint-it ndihen të tradhtuara nga Qeveria e Kosovës pas zhvillimeve të fundit rreth këtyre zgjedhjeve.

Fillimisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë Kosovës lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve.

Burime diplomatike i kanë konfirmuar gazetës Nacionale se shtetet e Quint-it kanë arritur ta bindin Serbinë që kjo kërkesë t’i bëhet Kosovës, përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd.

Megjithatë, edhe pse Serbia e bëri hapin e parë, Kurti ende i pakënaqur po kërkon që Serbia t’i bëjë ftesë zyrtare Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij burimi, pas qasjes së Kurtit, shteteve të Quint-it i është ‘ngulur thikë pas shpine’ dhe po ndihen të tradhtuar nga Qeveria e Kosovës.

Nacionale gjithashtu ka mësuar se dje kanë qëndruar në presidencë ambasadorë të rëndësishëm të QUINT-it.

Lajme të ngjashme