Deklaratat e çuditshme: Elvis Hoxha e bën Escobarin sllovak, Ramabaja e quan veten amerikan - NACIONALE

Deklaratat e çuditshme: Elvis Hoxha e bën Escobarin sllovak, Ramabaja e quan veten amerikan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asociacioni, që po kundërshtohet nga një pjesë e Vetëvendosjes, deri tani ka prodhuar disa deklarata të çuditshme. Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë një analizë interesantë në lidhje me qëndrimet e Gabriel Escobarit, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Esobar i ngjan Miroslav Lajçakut, të dërguarit të posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në analizën e tij të botuar gjatë kësaj jave, z. Hoxha thotë se Escobari s’është amerikan, por sllovak.

“Evropa sa i takon shtetit të Koosvës, nuk është fuqia dhe kontributi i Gjermanisë, por fuqia dhe korrupsioni i Qipros. Duke e përsëritur pozicionin e Lajçakut, edhe Escobari nuk është Biden, por është Lajçak. Ai nuk është amerikan është Sllovak.” – tha ai në analizën e tij të titulluar “Escobari si përkthim të Bidenit po na jep fjalët e Lajçakut”.

Ditë më parë, edhe një aktivist tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, me emrin Sadri dhe mbiemrin Ramabaja, dha një deklaratë qesharake. Gjatë një debati në Pressing të T7, z. Ramabaja, që etnikisht është shqiptar, tha se është më amerikan se Escobari, që është qytetar dhe zyrtar amerikan.

“S’do të thotë që nëse je kundër Escobarit, je kundër ShBA’ve. Unë jam më amerikan se Escobari, sepse unë dua që miqtë e mijë mos t’i dobësoj. Ne jemi pozicioni më strategjik i Amerikës, populli më proamerikan në Evropë. Normal që insistimi për krijimin e një shteti të dytë këtu, paralel, e dobëson edhe pozicionin tonë si mik i Amerikës. Në këtë sens, Escobari është më pak amerikan se unë.” – theksoi Ramabaja në T7.

Kapërcimet e mëdha...

Siç ka shkruar Nacionale ditë më parë, kapërcimet e mëdha tashmë po ndodhin. Ish-Zajednica tashmë është bërë Asociacion, i cili më nuk është më ndonjë fjalë e anatemuar. Madje, së paku 3 analistë pro-pushtetit aktual e kanë ndryshuar mendimin e tyre për Asociacionin. Ata kanë emra të përveçëm, por jo edhe mendim të përveçëm ( e duket se as autonom).

Krenar Shala, Blerim Gashi, krahas Sadri Ramabaja, janë tre analistë që e kanë "kapërcyer ylberin”, duke e ndryshuar "gjininë" e mendimit. Ata, nga kundërshtarë të Asociacionit, tashmë e kanë dhënë “dritën e gjelbër” për themelimin e tij. Edhe Rron Gjinovci tashmë ka përkrahur 6 kushtet e Kurtit për Asociacionin, duke thënë se do ta nënshkruante Asociacionin sipas kushteve të Kurtit.

26 janari do të mbahet mend si data kur Shala, analisti i Kanal 10, e befasoi gati të gjithë redaksinë e gazetës Nacionale. Ai ishte tmerrësisht i drejtpërdrejtë, duke shkruar se Asociacioni duhet të nënshkruhet.

“Asociacioni le të nënshkruhet po fillimi i zbatimit të tij duhet të bëhet kur te njeh Serbia Kosovën. Sepse, nëse bohet Asociacioni pa njohje, do të detyrohemi më vonë t’i ridiskutojmë kompetencat e tij kur të avancojnë bisedimet për njohje.” – shkroi z. Shala.

Karvanin të ndryshimit (pozitiv ose negativ, varësisht nga qëndrimet rreth Asociacionit) i është bashkuar edhe Blerim Gashi, qytetari nga Prizreni, që frekuenton Kanal 10-shin kryesisht si analist. Dje gjatë një debati mbi “shtigjet e Kurtit”, e ku flitej për një dikotomi deterministe të marrëveshjes ose dorëzimit, Gashi e tregoi mendimin e tij të fundit (mund të jetë edhe i parafundit, ngase mundësia e ndryshimit të mendimit është prezente).

“Në qoftëse kemi një lloj presioni të këtillë, një kërkesë krejt eksplicite, e që është “bane Asociacionin”, atëherë secili njeri i cili ka dy fije mend në politikë, duhet të vazhdojë apo siç kish pasë qef zoti Abdixhiku nga LDK-ja, të procesojë tutje me realizimin e asaj dhe ta nxjerr optimalen.” – vlerësoi z. Gashi, që dukej i vendosur në qëndrimin e ri.

Lajme të ngjashme