Kapitullimi: Tre analistë pro-VV deri tash "kapërcejnë ylberin", ndryshojnë qëndrim për Zajednicën - NACIONALE

Kapitullimi: Tre analistë pro-VV deri tash "kapërcejnë ylberin", ndryshojnë qëndrim për Zajednicën

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Tik-tak, tik-tak…orët deri në themelim të Asociacionit duket të jenë të numëruara. Takim pas takimi, kërkesa e ndërkombëtarëve ndaj kryeministrit Albin Kurti nuk ndryshon. "Themeloni Asociacionin" - është fjalia monotonisht e përsëritur. Një draft-statut do të prezantohet të hënën, ndërsa një takim për këtë çështje do të mbahet me 31 janar, i ftuar nga Ambasada e ShBA-së.

Ndërsa Kurti është pajtuar të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel (së paku, kështu theksoi dje Lajçak pas takimit në restoranin e përkrahësit të VV-së), ndonëse sot shefi i ekzekutivit theksoi se Asociacioni nuk e ka kaluar “testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Era e ndryshimit, jo të Kosovës, por të qëndrimeve e mendimeve i ka prekur edhe analistët kosovarë. Kësaj radhe, “viktimat e para” janë analistët e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët janë përkrahës të zjarrtë të Albin Kurtit, kryeminsitër i Kosovës.

“Herezia…tybestikfa”

Kapërcimet e mëdha tashmë po ndodhin. Ish-Zajednica tashmë është bërë Asociacion, i cili më nuk është më ndonjë fjalë e anatemuar. Madje, së paku 3 analistë pro-pushtetit aktual e kanë ndryshuar mendimin e tyre për Asociacionin. Ata kanë emra të përveçëm, por jo edhe mendim të përveçëm ( e duket se as autonom).

Krenar Shala, Blerim Gashi dhe Sadri Ramabaja janë tre analistë që e kanë "kapërcyer ylberin”, duke e ndryshuar "gjininë" e mendimit. Ata, nga kundërshtarë të Asociacionit, tashmë e kanë dhënë “dritën e gjelbër” për themelimin e tij.

26 janari do të mbahet mend si data kur Shala, analisti i Kanal 10, e befasoi gati të gjithë redaksinë e gazetës Nacionale. Ai ishte tmerrësisht i drejtpërdrejtë, duke shkruar se Asociacioni duhet të nënshkruhet.

“Asociacioni le të nënshkruhet po fillimi i zbatimit të tij duhet të bëhet kur te njeh Serbia Kosovën. Sepse, nëse bohet Asociacioni pa njohje, do të detyrohemi më vonë t’i ridiskutojmë kompetencat e tij kur të avancojnë bisedimet për njohje.” – shkroi z. Shala.

Por analisti Shala ka tërhjekur edhe vërejtjen për një çështje.

“Nuk bon me e përsërit gabimin e njejtë si me Planin e Ahtisarit ku Kosova merr obligime e masnej detyrohet që, në emër të njohjes, ta hapë pakon siç osht tu na ndodhë aktualisht.

Sepse, nuk ja vlen barra qiranë që në emër të njohjes, ne të bëjmë kompromise të vazhdushme me të cilat e rrezikojmë funksionimin e shtetit.” – shkroi ai tutje.

Ditë më parë, edhe një analist tjetër me emrin Sadri dhe mbiemrin Ramabaja ndryshoi qëndrim. Ramabaja, që është analist në Pressing gjatë natës, ndërsa aktivist në VV gjatë ditës (ndoshta edhe natën), theksoi në T7 se nuk është problematike që serbëve t’iu jepet një formë e fuqishme e vetëqeverisjes lokale.

“Sigurisht që ndonjë formë e vetëqeverisjes lokale, ne e kemi thane edhe këtu, do të duhej të gjendet për shkak se ne nuk mund të ecim tutje me këtë problem nëpër këmbë. Dhe projekti franko-gjerman i jep hapësirë kësaj çështje për një vetëqeverisjes lokale të fuqishme. Pse mos ta kenë serbët universitetin e fuqishëm në Mitrovicë, spitalin e fuqishëm në Graqanicë, që investohet edhe prej neve, jo vetëm prej tjerëve.” - është shprehur Ramabaj në emisionin Presing.

Karvanin të ndryshimit (pozitiv ose negativ, varësisht nga qëndrimet rreth Asociacionit) i është bashkuar edhe Blerim Gashi, qytetari nga Prizreni, që frekuenton Kanal 10-shin kryesisht si analist. Dje gjatë një debati mbi “shtigjet e Kurtit”, e ku flitej për një dikotomi deterministe të marrëveshjes ose dorëzimit, Gashi e tregoi mendimin e tij të fundit (mund të jetë edhe i parafundit, ngase mundësia e ndryshimit të mendimit është prezente).

“Në qoftëse kemi një lloj presioni të këtillë, një kërkesë krejt eksplicite, e që është “bane Asociacionin”, atëherë secili njeri i cili ka dy fije mend në politikë, duhet të vazhdojë apo siç kish pasë qef zoti Abdixhiku nga LDK-ja, të procesojë tutje me realizimin e asaj dhe ta nxjerr optimalen.” – vlerësoi z. Gashi, që dukej i vendosur në qëndrimin e ri.

Por ende stoikë, porsi filozofët helenë, kanë mbetur tre analistë të tjerë që janë të afërt me LVV-në e Kurtin. Rron Gjinovci, Xhevdet Pozhari dhe Shkëlzen Gashi, që ndryshe mund të quhen "tre Musketerët e vetëvendosur", ende e kundërshtojnë themelimin e Asociacionit. Ditëve në vazhdim, stoicizmi i tyre mund të luhatet, nëse Kurti vendos që ta nënshkruajë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (kuptohet, me emër të ri, ashtu siç tashmë shkruhet në draft-statutin e FES-it).

Lajme të ngjashme