Deklarata e Rashiq për Kurtin dhe tokën e Manastirit të Deçanit nxit debat në publik - NACIONALE

Deklarata e Rashiq për Kurtin dhe tokën e Manastirit të Deçanit nxit debat në publik

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, foli për marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë për Radio Gorazhdevc, ai tha se kanë pasur edhe kundërshtime.

Rashiq përmendi çështjen e transferimit të 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

Sipas tij, vendimi i vitit 2024 erdhi pas këmbënguljes së tij të vazhdueshme.

“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme,” tha Rashiq.

Ai shtoi se Kurti i kishte thënë: “Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.”

Rashiq theksoi se vendimi ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që duhej zbatuar.

“Mendoj se kjo duhet vlerësuar,” deklaroi ai.

Menjëherë pas deklaratës së tij, pati shumë reagime publike.

Ish-Kryeministri i Kosovës, i cili vjen nga rradhët e LDK-së, Avdullah Hoti tha se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” kryeministrin Albin Kurti nga retorika e tij politike.

“Për vite u fol për ‘tradhti’ dhe ‘falje të tokës për manastirin’,” shkroi Hoti.

“Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi ishte shumë i thjeshtë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’.”

Sipas tij, një veprim që dikur paraqitej si tradhti u bë më pas vendim i qeverisë.

“Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër,” deklaroi Hoti.

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithashtu ka reaguar. Haradinaj tha se, nëse kjo deklaratë rezulton e vërtetë dhe nuk përgënjeshtrohet nga kryeministri Albin Kurti, atëherë sipas tij kjo përbën “më shumë se tradhti kombëtare”.

Në një postim në Facebook, ai theksoi se pret një reagim të qartë nga Kurti për të sqaruar situatën.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë reagar disa deputetë. Ndër ta ishte Blerta Deliu-Kodra e cila tha se për vite u dëgjuan akuza për “tradhti” lidhur me tokën e Manastiri i Deçanit.

Sipas saj, ministri Rashiq tregon se vendimi u mor thjesht: Kryeministri Albin Kurti i kishte thënë: “Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd.”

Deputetja theksoi se ajo që dikur përdorej për dramë politike, tani në pushtet u bë vendim i thjeshtë.

“Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike,” shtoi Deliu-Kodra.

Ndërkohë, deklarata e Rashiq, me anë të së cilës zbardhi bisedën me Kurtin, para vendimit qeveritar për tokën 24-hektarëshe, është bërë vetëm disa orë para publikimit të këtij artikulli, reagimet s’kanë të ndalur.

Lajme të ngjashme