Debati i përçudshëm: Pse Agim Bahtiri e akuzoi Halil Matoshin se "bën sehire"?
Halil Matoshi, analist i përhershëm në emisionin “Politiko” të Kanal10, është përplasur disa herë gjatë emisionit të mbrëmshem me Agim Bahtirin, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. E gjithë përplasja është qendërzuar në lidhje me zgjedhjet në veri, temë në të cilën Matoshi e Bahtiri kanë pasur qëndrime të kundërta, rrjedhmisht antagoniste.
Debati, që ndizej e rindizej gati pafundësisht përgjatë emisionit, kishte edhe momente të çuditshme. Matoshi dhe Bahtiri, gjatë emisionit, e akuzuan disa herë njëri-tjetrin, duke përdorur edhe terme jokorrekte.
Në një moment, Bahtiri e akuzoi Matoshin për “sehirxhi”, por pa dhënë ndonjë shpjegim se përse e akuzoi atë për një çështje të tillë. Pra Bahtiri e hodhi një akuzë të rëndë në drejtim të Matoshit, të cilin e akuzoi për magjistar!
“Në Gazivodë me i pru me votu a, në maje të malit a?” – deklaroi Matoshi.
“Janë disa fshatra që bëjnë pjesë në një pikë të vetëvotimit” – deklaroi Bahtiri.
Matoshi, duke ia treguar një fotografi nga kontonjerët e votimti, e pyeti disa herë se “kush vjen të votojë në këtë vend?”
Ndonëse Bahtiri nuk ktheu përgjigje, ishte analisti nga veriu Branislav Kërstiq e ktheu një përgjigje cinike.
“Arushat” – ishte deklarata e Kërstiqit.
Në vazhdimin e diskutimit, z. Matoshi teorizoi se përveç legjitimitetit, në zgjedhjet në veri është lënduar edhe legaliteti, pasi nuk ka pasur asnjë serb në Komisionit komunal të zgjedhjeve (KKZ).
Natyrisht, sërish Bahtiri i ndërhyri në këtë temë.
“Kush ta tha? Le mos bë hajgare” – ishte përgjigja e Bahtirit.
E kur u pyet emrat e serbëve në KKZ, Bahtiri u përgjigj se nuk punon në “ofiqari” për t’i ditur emrat.
“Ti je hajgarexhi, njihesh për hajgarexhi” – ishte konkludimi i Matoshit, që duket se e preku shumë Bahtirin, pasi reagimi i tij ishte i menjëhershëm.
“Ti je sehirxhi, ti mundohesh me bo sehire këtu, por kur të jem i pranishëm unë këtu, nuk ke shancë me bo sehire” – ishte konkludimi i z. Bahtirit.
“Më duket që kjo të përket ty, po e tejkalojmë këtë” – ishte përgjigja me buzëqeshje e Matoshit.
Pra, sipas Bahtirit, Matoshi është magjistar.
Nuk dihet cila ka qenë arsyeja e përdorimit të një akuze të tillë në drejtim të Matoshit, por duket krejtësisht e pabesueshme që Matoshi, një njeri me bindje liberale, të jetë i përfshirë në magji. Duke pasur parasyshë jetën dhe veprën e analistit Matoshi, është lehtë e supozueshme që poeti Halil edhe mund të mos besojë fare në ekzistencën e sehireve.
Megjithatë, Bahtiri duket ta ketë përdorur një shprehje të tillë në mënyrë figurative. Përmes kësaj metafore, Bahtiri, me gjasë, ka synuar të thotë se Matoshi, përmes fjalëve e oratorisë, po tenton të mashtrojë opinionin publik, bash ashtu siç bëjnë magjistarët.
Në fakt, një hipotezë e tillë mund të bazohet edhe në vetë kuptimin e termit magji.
“Tërësi veprimesh që bëhen me lëvizje të ndryshme, me sende, me shkrime etj. ose tërësi fjalësh e shprehjesh, të cilat gjoja kanë fuqi të ndikojnë mbi njerëzit e mbi dukuritë e natyrës dhe të bëjnë çudira (sipas përfytyrimeve mistike e fetare). Bënte magji. I kishte lidhur magji dikujt. E yshti me magji. U bë si me magji.” – është njëri nga dy kuptimet e termit magji sipas fjalorit online shqip.
E pasi Bahtiri e akuzoi se nuk e njeh veriun, Matoshi u ndez në gjuhë, duke ardhur në një përfundim interesant. Sipas Matoshit, ish-gazetarit që tash është analist, Bahtiri nuk do ta mësojë alfabetin shqip, edhe sikur të jeton 4000 vite.
“4 mijë vite me jetu ti, alfabetin shqip s’ke me mësu, oooo Bahtiri, po ti s’ke ide.” – vlerësoi Matoshi.


