Dashuri e njëanshme: E vërtetë, fotografia e Bernie Sanders është në Zyrën e Kryeministrit - NACIONALE

Dashuri e njëanshme: E vërtetë, fotografia e Bernie Sanders është në Zyrën e Kryeministrit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, po i zbehen gjithnjë e më shumë fjalët për shkak të përsëritjes së shpeshtë të tyre. Në intervistën e fundit të publikuar nga një medium zviceran, nuk ka fjalë të reja por megjithatë janë disa informacione të reja që meritojnë vëmendje. Veçanërisht ato mbi Bernie Sandersin.

Kjo intervistë ishte zhvilluar më 9 shtator, por u publikua vetëm dje.

Kryeministri i vendit përsëriti qëndrimet e tij tashmë të njohura në Kosovë. Fatmirësisht, gazetari zviceran i kishte bërë Kurtit edhe pyetje paksa jo-konvencionale si kjo e mëposhtmja:

“A keni shtrënguar ndonjëherë duart me njëri-tjetrin (Vuçiqin)?”

Përgjigja në të cilën nga Kurti kishte qenë:

“Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tri nga katër herët e fundit gjatë pandemisë Covid-19 dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.”

Megjithatë, Kurti ka pasur edhe takime joformale me presidentin e Serbisë, siç ishte darka në Berlin gjatë muajit prill. Si duket, kjo i doli nga mendja kryeministrit në këtë intervistë.

“Si kryeministër, flamurin e Kosovës e kam detyrë dhe obligim – diçka që unë e respektoj dhe përqafoj” - është një tjetër fjali interesante e z. Kurti në këtë intervistë.

Bernie

Por, intervista e fundit mgjithatë meriton vëmendje edhe për shkak të një tjetër simbolike: fotografia e senatorit amerikan Bernie Sanders.

“Me Kurtin u vendos edhe një gjeneratë e re me objektiv tjetër qeveritar: të rinj, shumë nga ta pjesë e diasporës, të shkolluar jashtë vendit. Ata kalojnë prej anglishtes së rrjedhshme dhe shqipes, në mur iu qëndron një fotografi e Bernie Sanders, amerikanit të majtë, pranë asaj të Skënderbeut, heroit mesjetar kombëtar të shqiptarëve,” – ishte përshkrimi i gazetës zvicerane Republik.

Nacionalja pyeti Zyren e Kryeministrit nëse fotografia e z. Sanders ndodhej në ambientet e tyre, dhe ata e konfirmuan një gjë të tillë, por duke shtuar se ajo i takonte njërit prej anëtarëve të stafit të kryeministrit.

Kryeministri i vendit e kishte shfaqur afeksionin e tij për kandidatin demokrat për të fituar nominimin për president të ShBA-ve edhe kur ky i fundit ishte rrëzuar në banjën e tij dhe ishte lënduar.

“I dëshiroj Bernie Sandersit një shërim të shpejtë e të plotë. Bota ka nevojë për zëra si i juaji, qëndro i fortë,” – shkruante z. Kurti në Twitter më 2 tetor 2019.

Anti-Bernie

Sidoqoftë, z. Kurti nuk ka pasur ndonjë takim me senatorin amerikan Sanders gjatë tri vizitave të tij në ShBA. Për më keq, ai ishte takuar me senatorin republikan, Ted Cruz.

Ish kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ishte shprehur për takimin me fjalët si vijon:

“Më ka bërë shumë përshtypje takimi i Kurtit me senatorin Ted Cruz. Po të isha si kryeministri Kurti nuk do ta kisha takuar atë. Ai sot është një prej senatorëve më kontraverz ideologjikisht në SHBA.” - kishte komentuar ai.

Përveç Cruzit, Kurti ka takuar edhe dhjetëra kongresmenë dhe senatorë tjerë amerikanë por jo edhe Sandersin duke e bërë lidhjen e tij me të që të dukte “e njëanshme”.

Lajme të ngjashme