DASh bën thirrje që diskutimet për dinarin "të vazhdojnë me urgjencë"
Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka theksuar nevojën e vazhdimit të dialogut për çështjen e dinarit. Qëndrimin e administratës Biden, Patel e bëri të ditur gjatë një konference për media, duke iu përgjigjur komenteve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se tashmë ka një mini-pajtueshmëri rreth propozimit amerikan.
Patel ka rikujtuar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për situatën dhe ka bërë thirrje për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Zyrtari amerikan theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Më tej, ai ka theksuar urgjencën e vazhdimimit të diskutimeve për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për valutën serbe.
"Bisedimet [në Bruksel] i mirëpresim. Janë zhvilluar në kuadër të dialogut të lehtësuar prej BE-së, sot, dhe aty përfshihet diskutimi për rregulloren e re të BQK-së për valutën, dhe ne besojmë që këto bisedime duhet të zhvillohen me urgjencë”, dekalroi Patel, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Takimi trilateral në Bruksel
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje pas takimit me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, ku u diskutua për dinarin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Lajçak ka bërë të ditur në X se takimi ka rezultuar me marrëveshje mes palëve që diskutimet për këtë çështje të vazhdojnë të hënën e ardhshme.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para të gatshme. Ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, tha Lajçak në X.
Hosted the two Chief negotiators to discuss implementing the Agreement on the Path to Normalisation and other issues, incl. the impact of the decision on cash operations. We agreed to continue on this issue next Monday, while the Agreement will need to be addressed by the leaders pic.twitter.com/y6B6P42h0g
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) March 19, 2024
Kryenegciatori i Kosovës Besnik Bislimi, pas takimit bëri të ditur se deri më 22 mars palët do të dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.
Por, Bislimi për javën e ardhshme paralajmëroi një takim tjetër, për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, "do të ishte i pranueshëm për Kosovën", raportoi Radio Evropa e Lirë.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë ai pas takimit.
Nga ana tjetër, kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se pala serbe ka këmbëngulur që zgjidhja për çështjen e dinarit të bëhet me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.
“Gjëja e parë për të cilën këmbënguli delegacioni serb ishte ZSO-ja (Zajednica) si çështja më e rëndësishme, kryesore, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me fatin dhe të ardhmen e popullit serb në Kosovë. Një çështje tjetër e rëndësishme për të cilën kemi insistuar është çështja e dinarit, duke pasur parasysh vendimin e njëanshëm të Prishtinës për heqjen e dinarit, si dhe përfitimet sociale dhe tarifat shkollore të qytetarëve serbë që i marrin këto mjete nga Serbia”, tha Petkoviq.