Damka thotë se aktakuza ndaj tij është e pabazë: Në gjykatë do të vërtetohet pafajësia ime - NACIONALE

Damka thotë se aktakuza ndaj tij është e pabazë: Në gjykatë do të vërtetohet pafajësia ime

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, e ka vlerësuar si të pabazë aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila e ngarkon atë për sulm dhe kanosje ndaj një personi në Prizren.

Ai ka bërë me dije se në gjykatë do të sqarohet gjithçka.

Damka është shprehur i bindur se në procesin e shqyrtimit të aktakuzës do të vërtetohet pafajësi e tij.

Aktakuza është e pabazë dhe besoj se në gjykatë do të sqarohet gjatë seancave, dhe do të vërtetohet pafajësia”, ka thënë Damka për RTKlive.

Prokuroria Themelore në Prizren dje ka ngritur aktakuzë ndaj ministri të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar për kryer veprës penale “Sulmi” nga neni 184 par.1, dhe “Kanosja” nga neni 181 par.2 lidhur me par.1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ministri Damka akuzohet se ditën e zgjedhjeve ka përdorur forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J..

“Sipas aktakuzës, i pandehuri i parë F.D.(1972), me datë 09.02.2025, rreth orës 17:20 min, në Prizren, përdor forcën fizike ndaj të dëmtuarve A.M., dhe M.J., për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme në mes tij dhe të dëmtuarit M.J., lidhur me publikimin e disa informatave dhe lajmeve në rrjetet sociale, për partinë “KDTP” dhe për kryetarin e partisë-të pandehurin F.D.(1972), derisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në parkun e lagjes me disa anëtarë tjerë të partisë së tyre “YTHP”, për një moment i pandehuri hyn në park dhe me vrull i afrohet të dëmtuarës, dhe i drejtohet me fjalë kanosëse, dhe më pas me dy duart e kap të dëmtuarën nga pjesa e supeve dhe e shtynë, ku më pas aty ndërhyjnë të pranishmit dhe e largojnë të njëjtën nga parku, më pas i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit M.J., me fjalë kanosëse dhe menjëherë e sulmon, duke e goditur me trupin e tij, trupin e të dëmtuarit dhe me kokën e tij e shtyen kokën e të dëmtuarit, me ç`rast tek i dëmtuari shkakton dhimbje fizike. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Lajme të ngjashme