Dalipi: Vdekja e një vajzë 14-vjeçare serbe në Kosovë ka ardhur si pasojë e propagandës së qeverisë serbe
Policia e Kosovës, përmes një raporti zyrtar kishte raportuar gjashtë ditë më parë se një person është lënduar derisa ishte duke rrëshqitur në borë.
‘’Viktima femër kosovare dyshohet se derisa ishte duke rrëshqitur në borë, ka humbur kontrollin dhe është rrëzua. Si pasojë e njëjta ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë e me pas në Spitalin e Mitrovicës ku edhe ka ndërruar jetë’’- beri të ditur PK-ja.
Lidhur më këtë rast ka reaguar edhe shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar se deri tek vdekja e 15 vjeçares ka ardhur si pasojë e një narrative të rreme të propagandës së qeverisë serbe se serbët e Kosovës duhet të shmangin trajtimin nga mjekët shqiptarë të Kosovës.
‘’Një vajzë 14-vjeçare serbe e Kosovës vdes për shkak të një narrative të rreme të propagandës së qeverisë serbe se serbët e Kosovës duhet të shmangin trajtimin nga mjekët shqiptarë të Kosovës. Vajza, për fat të keq, pësoi një lëndim në shpretkë gjatë skijimit në qendrën skijimore në Brezovicë më 15 shkurt. Ajo është dërguar në spitalin e Mitrovicës së Veriut, 2 orë larg, duke anashkaluar dy më të afërtat (Ferizaj-30 min dhe Prishtinë-50 min). Dhe u bë tepër vonë për ta shpëtuar.Janë dhjetëra mjekë shqiptarë me eksperiencë të mirë që mund ta kishin trajtuar vajzën në Ferizaj apo Prishtinë dhe ndoshta, vetëm ndoshta ajo mund të ishte shpëtuar.’’- ka shkruar Dalipi në facebook.
Ndërsa Gazeta Nacionale, ka mësuar se arsyeja e dërgimit të viktimës për trajtim në spitalin e Mitrovicës jugore ka qenë për arsye të trajtimit sekondar që i është bërë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë.
‘’Për dërgimin e vajzës 14 vjeçare nga Brezovica ne Mitrovicen Jugore janë dashur tre ore, automjeti ka ngecur në Vushtrri, arsyeja e dërgimit të saj në Mitrovicë ka qenë për shkak të trajtimit sekondar që ka marrë në Shtërpcë.’’- ka deklaruar burimi për Nacionalen.