Dalin deklarata për media pas takimit të Escobarit me Vuçiqin dhe Petkoviqin në Beograd
Pas Prishtinës, emisari amerikan Gabriel Escobar ka vizituar edhe Beogradin por për dallim nga Prishtina ku pati konferenca për media pas takimit me presidentin serb Vuçiq dhe zyrtarin Petkoviq ka pasur vetëm njoftime.
Në një njoftim nga Presidenca e Serbisë pas takimit mes Escobarit dhe Vuçiqit, thuhet se ata diskutuan “zhvillimet e fundit brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, vazhdimin e dialogut e po ashtu edhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.”
“Vuçiqi edhe një herë e theksoi përkushtimin e plotë të Serbisë për angazhim në procesin e dialogut dhe në zgjdhjen e çështjeve të hapura mes Prishtinës dhe Beogradit, me një theks të veçantë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel deri tash dhe në respektim të ligjit ndërkombëtar,” – u tha nga Presidenca e Serbisë.
Emisari amerikan në këtë takim shprehur pritjen që dialogu të vazhdonte “dinamikisht dhe konstruktivisht”.
“Është domethënëse, edhe për qytetarët por edhe për paqen e përgjithshme, stabilitetin dhe progresin e rajonit, për një përfundim të shpejtë të negociatave,” – shtoi Escobar sipas Presidencës serbe.
Ndërkohë sipas drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq, palët kanë diskutuar edhe për çështjen e targave dhe energjisë.
Kujtojmë se Escobar në Prishtinë në mënyrë të hapur tha se i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrjen e afatit për regjistrim të targave në RKS për qytetarët serbë të vendit, afat që skadon më 31 tetor.
“Escobari foli mbrëmë gjatë qëndrimit në Prishtinë në lidhje me çështjen e regjistrimit të targave, zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe me qytetet e Kosovës në targa RKS, mandati i së cilës skadon pas dhjetë ditësh, më 31 tetor. Gjatë intervistës, ai zbuloi që ShBA dhe shtetet anëtare të Quintit po kërkojnë që zbatimi i atij vendimi të shtyhet sërish – tash për dhjetë muaj." - shkruhet në deklaratën e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë.
Qëllimi i kësaj kërkese amerikane - potencohet edhe në këtë deklaratë - është evitimi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Petkoviq më pas ka deklaruar - megjithëse pasaktësisht - se Serbia ka përmbushur obligimet e saj në lidhje me Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë.
Gjatë ditës së djeshme u raportuar se ishte arritur një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Elektroseverit, operatorit serb që kontrollohet nga Serbia. E gjithë kjo pasi operatori serb nuk kishte plotësuar kushtet pas licencimit nga ZRrE-ja as pas mandatit të paraparë prej 100 ditësh, por as pas një afati shtesë prej 15 ditësh.
Në deklaratën e kësaj Zyre nuk u tregua se çka kishte folur z. Escobar.


