Daçiq thotë se Vuçiqi ia tregoi temat e takimit të nesërm me Kurtin në Bruksel: Asociacioni dhe Deklarata për të Pagjeturit
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka folur sërish sot në lidhje me takimin që do të mbahet në Bruksel duke e dhënë edhe një parashikim për kryeministrin Kurti.
Sipas Daçiqit, Kurti përsëri do të provojë t’i shmanget obligimit për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Prishtina do të përpiqet të minimizojë rëndësinë e Asociacionit. Duke filluar nga emri, statuti, ekipi menaxhues dhe kompetencat që do të ketë Asociacioni,” – iu tha Daçiqi gazetarëve, përcjell Kosovo-Online.
Ministri serb gjatë ditës së djeshme ishte shprehur se Asociacioni ishte kushte edhe për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, deklaratë që e përsëriti sërish.
Në anën tjetër, më specifikisht ai foli edhe për takimin e nesërm:
“Ka vetëm dy gjëra në planin e zbatimit që janë përmendur në mënyrë specifike në fillim – Asociacioni dhe Deklarata për Personat e Zhdukur. Këto do të jenë, siç më tha presidenti Vuçiq, temat kryesore.” – vazhdoi tutje kryediplomati serb.
