Ç’po ndodh në Ukrainë, japin dorëheqje ndihmësi i Zelenskyt dhe një zëvendësministër - NACIONALE

Ç’po ndodh në Ukrainë, japin dorëheqje ndihmësi i Zelenskyt dhe një zëvendësministër

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njëri nga ndihmësit kyçë të presidentit Volodymyr Zelensky të Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, ka thënë dorëheqje para një riformatimi të pritshëm të qeverisë. Dorëheqje ka dhënë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov.

Tymoshenko e ushtronte detyrën e zëvendësshefit të Zyrës së Presidentit dhe e falënderoi Zelenskyn për “mundësinë për të bërë punë të mira çdo ditë e çdo minutë”.

Ai është përmendur në skandale që lidhen me përdorimin e veturave të shtrenjta, edhe pse ka mohuar se ka bërë gjëra të ndaluara.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shapovalov, i cili ishte përgjegjës për furnizimin e ushtarëve me ushqim dhe pajisje, ka dhënë dorëheqje, duke i përmendur “akuzat e medieve” për korrupsion. Ai dhe ministria kanë thënë se akuzat janë të pabaza.

Zelensky ka dhënë shenjë se edhe zyrtarë të tjerë të lartë do të largohen nga qeveria e tij në ditët e ardhshme. Ai ka thënë se do të bëjë një varg ndryshimesh të personelit në qeveri, në autoritete rajonale dhe në shërbimet e sigurisë.

Mediet lokale raportuan se largimi i Tymoshenko-s, i cili e ka mbikëqyrur politikën rajonale dhe më herët ka punuar për fushatën zgjedhore të Zelenskyt, mund të jetë pjesë e riformatimit të nisur nga presidenti.

Megjithatë, ristrukturimi vjen në kohën e shtypjes së korrupsionit në Ukrainë, që është njëra ndër kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian për avancimin e aplikimit të këtij vendi në BE. Autoritetet ua kanë ndaluar largimin nga vendi të gjithë zyrtarëve shtetërorë, me përjashtim të rasteve kur ata kanë udhëtim të autorizuar pune.

Të hënën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Vasyl Lozinskyi, u shkarkua dhe u ndalua nga policia, pasi u akuzua për pranimin e një ryshfeti me vlerë të 400 mijë dollarëve. Ai i ka mohuar akuzat.

David Arakhamia, kryetar i partisë së Zelenskyt, Shërbëtori i Popullit, është zotuar se zyrtarët e korruptuar mund të ballafaqohen me burgim.

Ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, është kritikuar rishtazi, pas raportimeve se ministria e tij ka nënshkruar një kontratë për blerjen e ushqimit për ushtarë me çmime të fryra. Megjithatë, Reznikovi tha se ato çmime ishin “gabim teknik”.

Lajme të ngjashme