Çnjerëzore: Policia indoneziane përdor gjarpër të madh për të marrë në pyetje një person
Një pilot nga Zelanda e Re është marrë peng nga luftëtarët separatistë, pasi në rajonin e largët indonezian, Papua, i vunë flakën një aeroplani me gjashtë pasagjerë. Në anën tjetër, në një video shihet se si policia indoneziane përdor një gjarpër të madh për të frikësuar një person që po merrej në pyetje, duke ia vënë atë përreth qafës.
Luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Papuas Perëndimore, krah ushtarak i Organizatës së Papuas së Lirë, e sulmuan aeroplanin pak pas aterrimit të martën në distriktin malor, Nduga, raporton gazeta “The Independent”.
Piloti Philip Mark Mehrten u mor peng nga një grup luftëtarësh të udhëhequr nga komandanti i grupit, Egianus Kogeya, si pjesë e përpjekjes së tyre për pavarësi, tha zëdhënësi i rebelëve, Sebby Sambom. Pasagjerët, përfshirë një fëmijë, u liruan, sepse ata ishin pauanë indogjenë.
Paralajmërim: Videoja nuk këshillohet për fëmijët dhe personat e ndjeshëm. Për ta parë videon e frikësimit të një burri me gjarpër të madh, klikoni KËTU.
Konflikti në Papua eskaloi vitin e kaluar, duke rezultuar në vdekjen e dhjetëra rebelëve, pjesëtarëve të forcave të sigurisë e civilëve.
“E kemi marrë peng pilotin dhe do ta nxjerrim në pah. Kurrë nuk do ta lirojmë pilotin që jemi duke e mbajtur peng derisa Indonezia ta njohë dhe ta lirojë Papuan nga kolonializmi indonezian”- tha zëdhënësi i rebelëve, duke shtuar se piloti është gjallë, pa e treguar vendndodhjen e tij.
Zëdhënësi i policisë në Papua, Ignatius Benny Ady Prabowo, tha se ushtarët dhe policët janë duke i kërkuar pilotin dhe pasagjerët. “Nuk mund të dërgojmë personel të madh atje, sepse Nduga është zonë e vështirë për t’u arritur. Mund të shkojmë atje vetëm me aeroplan”- tha ai.
Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, tha se ambasada e vendit të tij në Indonezi është duke punuar për këtë rast. “Nuk kam ndonjë hollësi tjetër tash për tash që do të mund ta ndaja”- tha ai.
Rebelët pretenduan se arsyeja e rrëmbimit të pilotit është që Zelanda e Re, bashkë me Australinë e Shtetet e Bashkuara, bashkëpunon ushtarakisht me Indonezinë.