Shtrenjtimi i rrymës e përçan pushtetin: Osmani kundër, Qeveria Kurti sugjeron tarifa më të larta për bizneset - NACIONALE

Shtrenjtimi i rrymës e përçan pushtetin: Osmani kundër, Qeveria Kurti sugjeron tarifa më të larta për bizneset

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Nga data 1 prilli, pritet të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat pritet të jenë më të shtrenjta se më parë. Propozimi fillestar i Zyrës së Rregullatorit për Energji është që tarifat të rriten për rreth 14 për qind, por vendimi përfundimtar do të merret pas analizimit të komenteve nga palët e interesit. Ky është një zhvillim me interes për qytetarët dhe bizneset, pasi ata do të ndikohen drejtpërdrejt nga rritja e tarifave të energjisë elektrike. Qytetarët e Kosovës ka thënë se një shtrenjtim i çmimit prej 14 për qind do t’i rëndonte edhe më shumë xhepat e tyre tashmë të rënduar nga kriza ekonomike dhe rritja e çmimeve të tjera.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të shtrenjtuar tarifat për 14 përqind është shoqëruar me ndryshme të ndryshme nga Presidenca dhe Qeveria. Qeveria ka sugjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara dhe të përshtaten ato për bizneset, sidomos ato të mëdha. Ndërsa Presidenca ka rekomanduar që tarifat të mos ndryshohen dhe që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes pakos 75 milionëshe të BE’së.

Arsyetim i Zyrës së Presidencës për këtë vendim ka qenë norma e lartë e inflacionit, e cila do të vështirësonte qytetarët dhe bizneset në vend. Në vend të kësaj, Presidenca ka sugjeruar që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes subvencionimit, duke përfshirë mundësinë e një pakoje 75 milionëshe të BE-së.

“Në këtë drejtim do të mund të kontribuonte edhe pakoja e Mbështetjes për Energji e BE-së për Kosovën përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro për të ndihmuar me përballjen me krizën energjetike. Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti. Andaj, ZPRK-ja, rekomandon që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e subvencionimit, duke shmangur nevojën për një vendim të ri të ZRRE-së, i cili do të rezultonte me rritje të sërishme të tarifave në vendin tonë”, thuhet në komentet Zyrës së Presidencës, raporton Express.

Në komentet e tyre, Zyra e Kryeministrit ka sugjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara, ndërkohë që hendeku financiar të mbulohet përmes përshtatjes së tarifave për bizneset, veçanërisht ato të mëdha. ZKM argumenton se, në vitin e kaluar, ZRrE i la të pandryshuara tarifat për bizneset, ndryshim i cili duhet të bëhet tani, për të mbuluar kostot shtesë për operatorët e rregulluar.

“Mbulimi i hendekut për HLM për 2023 të bëhet kryesisht nga bizneset: Në shqyrtimin e ndodhur vitin e kaluar, përkundër propozimeve nga MFPT por edhe nga palë tjera siç është Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ZRRE la të pandryshuara tarifat për bizneset, duke ndryshuar vetëm tarifat për amvisëritë me shtimin e bllokut të ri tarifor për konsumin mbi 800 kWh. Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023, sugjerojmë që tarifat për amvisëritë do të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”, thuhet në komentet e Zyrës së Kryeministrit.

Deri më tash, Nacionale ka konfirmuar se Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar komentet nga: KOSTT, KEDS, KESCO, KEK, Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit.

Në përgjigjen e ZRrE-së për Nacionalen thuhet se janë në proces të vlerësimit të komenteve të marra dhe se raporti përfundimtar do të dalë vetëm pas ekzaminimit.

“ZRRE është ne proces te vlerësimit te komenteve te pranuara nga palët e interesuara, dhe pas analizimit te tyre do te publikoje raportin përfundimtar me përgjigje ndaj palëve. Kjo faze e konsultimit përfshinë procesin e përcaktimit te te hyrave te lejuara maksimale, dhe pas aprovimit te tyre, operatoret e rregulluar aplikojnë për tarifa.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Në grupin e Nacionales në Viber, qytetarët sot u pyetën se a e konsiderojnë të përballueshëm shtrenjtimin e faturave.

Deri më tani në anketën e hapur kanë votuar mbi 300 persona.

300 nga ta apo 92 për qind kanë thënë se shtrenjtimi i çmimit të energjisë do të ishte i papërballueshëm për ta teksa për 24 persona apo 7 për qind nuk do të ishte fare problem nëse shtrenjtohet energjia elektrike.

Lajme të ngjashme