Çka po kërkon në të vërtetë Albin Kurti në Shqipëri?
Pse kryeministri i Kosovës udhëtoi sot drejt Republikës së Shqipërisë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u nis sot në një udhëtim të paparalajmëruar drejt Shqipërisë. Ai duket se kishte vendosur që të merrte mbështetje nga krerët institucionalë të këtij shteti për pranimin që i kishte bërë Propozimit Evropian dhe Aneksit të tij.
Megjithatë, krerët institucionalë të Shqipërisë i kishin dhënë mbështetje Propozimit dhe Aneksit prej para një jave kur ishte bërë e ditur se kishte marrë pajtimin e Kurtit dhe pajtimin e Vuçiqit.
Cili ishte atëherë, misioni i Kurtit?
Sipas ish-politikanit nga Shqipëria që kërkonte Bashkim Kombëtar, Kreshnik Spahiut, qëllimi ishin votat.
“Kurti ka nevojë për këtë mbështetje sepse arriti të bëjë një marrëveshje kundër vetes së tij. Kurti erdhi në pushtet me kushtin që nuk do të firmos për asociacionin. Në njëfarë mënyre erdhi të kërkoj një lloj mbështetje për të rikuperuar votat e humbura në Kosovë.” – tha ai për Euronews.
Çka thanë Rama e Kurti?
Fotografia e tyre e ndarë nga llogaria e kryeministrit shqiptar fliste shumë. Ata dukej se kishin lënë armiqësitë politike të viteve të fundit – prej që Rama e mbështeti idenë e ripërcaktimit të kufijve – për të ngrënë drekë së bashku. Pranë tyre ishin edhe dy gota me verë të kuqe. Kurti në një anë dukej i qeshur derisa Rama po e dëgjonte i shkujdesshëm.

Edi Rama, e quajti Kurtin “mik të posaçëm” dhe i dha mbështetjen e kërkuar. Madje, edhe më shumë se kaq. Rama e inkurajoi Kurtin që të “hidhte hapa të mëtejshëm” për Asociacionin, Kishën Ortodokse Serbe etj.
Kryeministri Kurti deri në këtë moment nuk e ka folur asnjë fjalë për takimin. Sidoqoftë, Kryeministria ka njoftuar për dy takimet e tjera që ka pasur, atë me kryekuvendaren Lindita Nikolla dhe me presidentin Bajram Begaj.
Nuk dihet nëse Kurti do ta vazhdojë vizitën e tij në Republikën e Shqipërisë për të marrë mbështetje edhe nga opozita e atjeshme. Sidoqoftë, vlen të thuhet që ai së fundmi takoi edhe liderin e vetëm që e mbështet sa i përket dialogut në Parlamentin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj.
Gjatë ditës së djeshme, kundër Kurtit dhe marrëveshjeve që kishin bërë protestuan aktivistët e PSD-së derisa nuk ka shenja të zmbrapsjes nga partitë më të mëdha opozitare, PDK e LDK, në lidhje me çështjen. Edi Rama, për shkak të afërsisë së tij me Hashim Thaçin, mund të ketë ndikim të caktuar te PDK-ja. Ai edhe më herët ishte përzier në punët e brendshme të Kosovës, mes tjerash duke e kritikuar e qortuar edhe Albin Kurtin apo Ramush Haradinajn në favor të Hashim Thaçit në disa raste.
Kujtojmë se kryeministri shqiptar Edi Rama tha sot se ishin pajtuar me Kurtin që mbledhjen e radhës të përbashkët të dy qeverive ta mbanin në muajin qershor.

.jpg)