Çka nënkupton “Et Voila”, termi që e përdori Gërvalla për t’i reaguar Macronit? - NACIONALE

Çka nënkupton “Et Voila”, termi që e përdori Gërvalla për t’i reaguar Macronit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prej çështjeve më të diskutuara gjatë ditës së sotme, natyrisht që ishte paralajmërimi i presidentit francez, Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave. Fillimisht, u nënkuptua se ai “konfirmoi që Franca ia ka pezulluar liberalizimin e vizave”, më pas doli që deklarata u keqkuptua. Por, aktualisht, një tjetër çështje që po komentohet shumë është edhe reagimi i kryediplomates Donika Gërvalla. “Et Voila”, ishte termi që ajo përdori – çka nënkupton?

Një deklaratë e presidentit Macron e përkthyer jo krejtësisht qartë derisa ai po mbante një konferencë me kryeministrin Edi Rama, shkaktoi shumë reagime sot.

Të gjithë menduan që Franca ia pezulloi Kosovës liberalizimin e vizave – e që rrjedhimisht – qytetarët nuk do të mund të lëviznin vetëm me pasaportë nga një janari.

Në fakt, më pas “Radio Evropa e Lirë” publikoi deklaratën e plotë dhe të përkthyer të presidentit Macron, i cili citohej të ketë thënë:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

“Et Voila”

Megjithëse nuk pati pezullim të liberalizimit të vizave, Macron përmendi vizat, dhe la të kuptohet që Kosova nuk po e mban fjalën e saj për çështjen në të cilën BE-ja i besoi.

Nuk kaloi shumë, në mesin e dhjetra reagimeve nëpër rrjete sociale, reagimin më të komentuar e bëri kryediplomatja Gërvalla.

“Et Voila”, shkroi ajo në Twitter, duke ia bashkëngjitur postimit edhe një flamur të shtetit francez.

Ky term, që përdoret jo vetëm në gjuhën franceze, por edhe në atë angleze, nënkuptohet si: “Dhe kjo është”, “Dhe ja ku e keni”, ose “Iu kam thënë”.

Siç raportoi Nacionale, ky postim nuk iu duk edhe aq i qëlluar përdoruesve në rrjetin social Twitter, të cilët i reagua Gërvallës duke i thënë se diplomacioa nuk funksionon në këtë mënyrë.

“Kështu s’behet diplomacia po nejse”, “Bravo e bone fet”, Ti mos fol”, “Donika perseri ne kurth”, “fshije kete status”, “Pershkak mos angazhimit tjuj edhe neglizhences si ministri tash jena ku jena.” – janë disa prej komenteve të tjera.

Çka tha tjetër Macron për Kosovën?

Ai u shpreh se priste që palët – Kosova e Serbia – duhej ta respektonin planin franko-gjerman. Presidenti i Francës po ashtu kërkoi që të dënohej nga Vuçiqi prerazi ajo që kishte ndodhur më 24 shtator, pra agresioni e terrorizmi në Banjskë.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania e kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj që është përgjegjësia e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit. Sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë. Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme. Pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe institucionet. Njohjen e Asociacionit të Komunave Serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Dhe pres që presidenti Vuçiq të jetë përgjegjës. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar.”

Lajme të ngjashme