Një përkthyese ‘shastisi’ një popull: Çka tha në të vërtetë Macroni për vizat? - NACIONALE

Një përkthyese ‘shastisi’ një popull: Çka tha në të vërtetë Macroni për vizat?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të gjithëve na habiti ‘qëndrimi i Francës’. Si mund të sillej kaq indiferente ndaj lirisë së një populli. Por, del se ai nuk ishte tamam qëndrimi i Francës. Del se presidenti i Francës kishte thënë në fakt, diçka tjetër. Qysh u shpreh Macroni në konferencë me Edi Ramën?

Të gjithë menduan se Franca e kishte pezulluar liberalizimin e vizave për kosovarët në Zonën Schengen. Se si mund ta bënte një gjë të tillë Franca nuk dihej. Por, ajo që u mor vesh si dije publike ishte se... presidenti i Francës e kishte përmendur pezullimin.

Si ishte ky përkthim fillimisht?

Mediumi shqiptar Lapsi i kishte vënë këtë titull artikullit: “Macron: Vuçiq të dënojë sulmin në Banjskë. Kam pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën” Ngjashëm raportuan edhe shumë e shumë media të ndryshme.

Por, del se përkthimi ishte më ndryshe. Përkthyesja – megjithëse nuk ka përkthyer si duhet gjithë atë që ka thënë presidenti francez – i tha këto fjalë:

| “E them me shumë qartësi ne ju kemi besuar për çështjen e vizave. Çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse bëhet respekti – ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë. Dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes për gjithë zonën.”

Edhe më tej mbetet çështje interpretimi për shkak të përkthimit të fjalëpërfjalshëm. Megjithatë, nga kjo mund të nxirret kuptimi se Franca ka pezulluar liberalzimin e vizave për Kosovën.

Në ndihmë në këtë pikë vjen një përkthim nga Evropa e Lirë, ku citohet presidenti francez t’i ketë thënë këto fjalë:

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”,

Pra, kjo na thotë që Franca i ka hequr vizat dhe ka mbajtur fjalën e dhënë. Ndërkohë, nuk duket se këto fjalë të jenë madje as kërcënuese. Por, reagimet kundër Francës në Kosovë tashmë janë të shumta.

Çka tha tjetër për Kosovën?

Ai u shpreh se priste që palët – Kosova e Serbia – duhej ta respektonin planin franko-gjerman. Presidenti i Francës po ashtu kërkoi që të dënohej nga Vuçiqi prerazi ajo që kishte ndodhur më 24 shtator, pra agresioni e terrorizmi në Banjskë.

“Ne i ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojnë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania e kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohet nga të dyja palët. Mendoj që është përgjegjësia e z. Vuçiq që t’i dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit. Sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi. Dhe më pas, etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë. Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme. Pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe institucionet. Njohjen e Asociacionit të Komunave Serbe nga autoritetet kosovare. Sipas kësaj radhe plotësisht dhe totalisht. Dhe pres që presidenti Vuçiq të jetë përgjegjës. Pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar.”

Lajme të ngjashme