Çka ndodhi gjatë javës në Kosovë - këto janë ngjarjet kryesore - NACIONALE

Çka ndodhi gjatë javës në Kosovë - këto janë ngjarjet kryesore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në vendin tonë gjatë kësaj jave si javët e kaluara, më së shumti u diskutua për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në të cilën parashihet ndalimi i dinarit si mjete pagese Kosovë. Kjo rregullore ka çuar në krisje të raporteve të Kosovës me aleatët, e që nuk kishte si të mos kritikohej Qeveria Kurti. Në anën tjetër, Kosova është tronditur nga vdekja e një vajze të moshës 4-vjeçare. Këto janë ngjarjet kryesore të javës.

Dinari

Çështja e ndalimit të dinarit si mjete pagese në Kosovë, po vazhdon të diskutohet me të madhe. Por përveç diskutimeve, Qeveria Kurti po kritikohet edhe për dëmtim të raporteve me aleatët për shkak të kësaj çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar se e ka ditur që po ndalet dinari në Kosovë, duke thënë se presioni ndaj tij erdhi pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e alarmoi rajonin dhe Evropën.

Sidoqoftë, krejt po shkonte mirë me përgatitjet dhe në mes të janarit, pikërisht për shkak të përgatitjeve që po shkonin mirë Vuçiqi alarmoi rajonin dhe Evropën se do të pasojë katastrofa nga 1 shkurti kur të ndalohet dinari...Aty filloi presioni mbi mua. Jo në fillim, por vetëm pasiqë Vuçiqi foli.” – ka thënë ai.

Ndërkaq, pavarësisht kësaj, Rregullorja e BQK-së është në fuqi dhe kritikat e aleatëve deri më tani nuk i kanë bërë përshtypje qeverisë.

Këto kritika duket se e kanë shqetësuar presidentem e vendit, Vjosa Osmani, e cila i doli kundër Kurtit.

Osmani ka thënë se kjo temë nuk është dashur të jetë shkak për një përplasjes të re të Kosovës me aleatët.

Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim, i cili mund të zgjasë disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj. Siç e dini, nëse kjo çështje nuk zgjidhet me kohë mund të krijohen probleme të mëtejme” - ka thënë Osmani, duke ftuar të gjitha institucionet që të kenë kujdes rreth raporteve të Kosovës me aleatë.

Nga ana tjetër, aleatët po vazhdojnë me kritika ndaj Kosovës për shkak të dinarit.

Vdekja e 4-vjeçares

Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur gjatë javës që po e lëmë pas në Gjakovë. Një vajzë 4 vjeçare ka vdekur. Policia ka hapur hetimet për vdekjen e saj. Dyshimet për vdekjen e saj, kanë të bëjnë me atë se vajza u rrah paraprakisht, por sipas familjarëve, edhe mostrajtimin e duhur nga ana e mjekëve.

Lidhur me këtë rast ka pasur reagime të shumta të cilët kanë kërkuar përgjegjësinë nga ana e mjekëve që e kanë trajtuar rastin e 4-vjeçare.

E për t’u hetuar deri në fund ky rast, në mënyrë që ndaj përgjegjësve të merren masa të duhura, ka kërkuar edhe Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve. Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.” – ka thënë ministri.

Gjatë javës, në Klan Kosova u publikua edhe një sondazh i Institutit të Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS).

Sipas këtij sondazhi, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, Vetëvendosje ka shënuar rezultat prej 40.9. Me 21.5 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.4 për qind.

Lajme të ngjashme