Kurti i pret në zyrë ambasadorët e QUINT-it: U kërkon heqjen e masave, thotë se arsyet për të cilat u vendosën “s’janë më”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi e zv.ministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit ka thënë se “qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale”.
“Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë.” – thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Kurti ka kërkuar heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës, pasi që “arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar në shtatorin e kaluar”, kur u morën veprimet rreth mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore”.
“Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.” – thuhet në fund të komunikatës.