Çka mund të presë Kosova nga NATO-ja nën udhëheqjen e Mark Rutte-s? - NACIONALE

Çka mund të presë Kosova nga NATO-ja nën udhëheqjen e Mark Rutte-s?

2 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Tashmë NATO-ja, aleanca më e madhe ushtarake në botë, në krye të saj e ka vendosur kryeministrin në largim të Holandës, Mark Rutte. Në Kosovë, emërimi i Ruttes si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s është mirëpritur, teksa udhëheqësit e vendit besojnë në vazhdim të bashkëpunimit me të. Por çka mund të presë Kosova nga NATO-ja nën udhëheqjen e Ruttes.

Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun.” – ka thënë NATO-janë një komunikatë.

Çka mund të presë Kosova nga Rutte?

Ndërkohë emërimi i Ruttes është përshëndetur edhe nga udhëheqësit e vendit, politikanë të tjerë e njohësit e çështjeve të sigurisë.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni për Nacionalen ka treguar se çfarë mund të presë Kosova nga Rutte dhe cili duhet të jetë roli i Qeverisë për anaëtarësimin e Kosovës në NATO.

Quni, që njëherësh është edhe anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka shpjeguar se NATO-ja nuk i ndryshon parimet pavarësisht ndërrimit të udhëheqjes së saj.

Qëllimi i NATO-s është të garantojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake. NATO-ja – POLITIKE promovon vlerat demokratike dhe u mundëson anëtarëve të konsultohen dhe të bashkëpunojnë në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë që t'i zgjidhin problemet, të krijojnë besim dhe për një afat të gjatë të parandalojnë konfliktin. NATO-ja – USHTARAKE është e angazhuar për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, ajo ka fuqinë ushtarake për të ndërmarrë operacione për administrimin e krizave. Këto përkufizime janë tregues se bëhet fjalë për një organizatë politiko-ushtarake, e cila politikat për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes i ka afatgjate. Pra, ato nuk ndryshojnë sa herë ka ndërrime në udhëheqjen e NATO-s.” – ka thënë ai për Nacionale.

Quni beson se përkushtimi i NATO-s për Kosovën do të vazhdojë me interesimin e njëjtë, por avancimi i raporteve varet se sa e përkushtuar është Qeveria e Kosovës.

Kështu që, përkushtimi i NATO-s për Kosovën do të vazhdojë me të njëjtin interesim si në rrafshin diplomatik e, po ashtu edhe me prezencën e saj ushtarake. Tani, varet edhe nga politikat dhe veprimet e qeverisë sonë, se sa institucionet dhe organizatat vendore të sigurisë do të bashkëpunojnë me NATO-n dhe vetë KFOR-in për çështjet e interesit të përbashkët” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka përmendur bashkëpunimin e saj me Rutten gjatë viteve.

Osmani ka thënë se nuk ka dyshim që bashkëpunimi do të vazhdojë.

Gjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe unë nuk kam dyshim që bashkëpunimi ynë i fuqishëm do të vazhdojë, përderisa ai e merr këtë përgjegjësi të re. Pres të punojmë së bashku për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të punuar drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në mbarë kontinentin tonë e përtej tij.”ka shkruar Osmanin në urimin që ia ka bërë Ruttes.

Edhe kryeministri Albin Kurti e ka uruar Rutten për pozitën e tij të re, duke thënë se në Kosovë festohet ky lajm.

Rutte si kryeministër i Holandës e kishte vizituar Kosovën në vitin 2023.

Lajme të ngjashme