Çka do të thotë përmendja e De Golit nga Vuçiqi? Krasniqi e Biserko shprehin qëndrimet
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur përsëri për Kosovën dhe gjithashtu ka përmendur edhe ish-presidentin e Francës, Charles De Gaulle (De Gol). Vuçiq tha se Evropa po kërkon që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur. Por, çka do të thotë përmendja e De Golit?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një paraqitje televizive ka thënë se Evropa po kërkon nga Serbia që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ai ka thënë që mos gënjejnë se kjo nuk është e vërtetë.
"Evropa po na kërkon ta njohim Kosovën e pavarur, mos gënjeni se kjo nuk është e vërtetë, ajo në thelb po e kërkon.” – ka thënë ai.
Vuçiq në vazhdim duke folur për Kosovën, ka cituar ish-presidentin e Francës, Charles De Gaulle, i cili gjatë mandatit të tij, Algjeria shpalli pavarësinë nga Franca.
"Në vendet demokratike është e pamundur të mos humbasësh pothuajse gjithçka - nga popullariteti... Por për mua, pyetja kryesore është - çfarë duam ne nga vendi ynë.” – ka thënë Vuçiq, duke folur më pas për presidentin francez De Gol, ku citoi thënien e tij se "francezët nuk kanë më qëllime".
“Ne qytetarët e Serbisë, ne serbët, duhet të pyesim se çfarë duam nga vendi ynë, si do ta bëjmë atë, me entuziazëm apo do të bërtasim e qajmë për fatin tonë.” – ka thënë ndër të tjera ai.
E përmendja e ish-presidentit francez, De Gol nga Vuçiqi, për profesorin univeristar dhe publicistin, Milazim Krasniqin është veç një manipulim i radhës, pasi sipas tij, Vuçiqi nuk po përgatitet që të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Meqë në fjalimin e tij të sotëm Aleksandër Vuçiqi ka cituar De Golin, në kontekstin e problemit të Kosovës, disa analistë po supozojnë se ai po përgatitet ta njohë Kosovën, si De Goli Algjerinë. Unë nuk besoj aspak se do ta njohë Vuçiqi Kosovën. Ne nuk duhet të mashtrohemi prej manipulimeve të tij retorike e propagandistike.” – ka shkruar Krasniqin në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se ngjashmëri e Kosovës me Alegjerinë është më e madhe se me çdo rast tjetër.
“Por unë jam i sigurt se ngjashmëria e Kosovës me Algjerinë është shumë më e madhe se sa me çdo rast tjetër. Këtë çështje e kam aktualizuar shumë moti, po asnjëra nga qeverirat tona nuk e ka marrë seriozisht. Po të ndiqej një politikë serioze e faktimit të asaj ngjashmërie, pozicioni i Kosovës do të mirëkuptohej më shumë dhe do të ishte shumë më i fortë në arenën ndërkombëtare.” – përfundon shkrimi i tij.
Gjithashtu edhe Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, ka komentuar përmendjen e De Golit nga Vuçiqi.
Ajo ka thënë se Vuçiq po justifikohet që të marrë ndonjë vendim, teksa ka përmendur ndihmën e BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Do të jetë një lloj justifikimi për të që të marrë ndonjë vendim. Përmendja e De Golit është gjithashtu tregues sepse ai i dha fund agonisë franceze për Algjerinë. Duhet të kemi parasysh patjetër paketën e gjerë të ndihmës që BE ka përgatitur për Ballkanin Perëndimor menjëherë pas Banjskës. Serbia nuk mund të heqë dorë. Vuçiq do të vazhdojë të përpiqet të balancojë, por ajo hapësirë po zvogëlohet, sidomos rreth Kosovës.” – ka thënë ajo për Danas.