Citon Osmanin, përmend Kurtin, ‘pëlqen' Rizvanollin: Nënkryetarja e PDK-së në Prishtinë, që i vjen marre prej PDK-së - NACIONALE

Citon Osmanin, përmend Kurtin, ‘pëlqen' Rizvanollin: Nënkryetarja e PDK-së në Prishtinë, që i vjen marre prej PDK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nuk ndodhë shpesh në politikën kosovare të shohim akterë të caktuar politikë duke përkrahur ata që i kanë kundërshtarë. Deputetët i shohim nganjëherë bashkë, kur bëjnë vizita në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Sidoqoftë, përkrahja e nënkryetarës së Prishtinës të cilën e propozoi Partia Demokratike e Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe presidentes Vjosa Osmani, bie goxha në sy.

Në shtator të këtij viti, Donjeta Sahatçiu mori pjesë në një organizim partiak gjithëditor të PDK-së. Aty ku u propozua platforma 50/50 për udhëheqje të partisë mes burrave dhe grave.

Partia Demokratike e Kosovës - PDK sot vetëm i ka dhënë formë dhe drejtim realitetit që ka filluar”, kjo është një pjesë e shkrimit të saj ku ajo lavdëronte PDK-në për këtë vendim.

Shtrohet pyetja: A i vjen marre asaj prej PDK-së?

Këtë kureshtje ta lë nënkryetarja e Prishtinës. PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, që prej ekzistimit të kësaj të fundit si parti, kanë qenë kundërshtarë në politikë.

VV-ja ia bënte opozitën më të fuqishme PDK-së sa kjo e kishte pushtetin, dhe tash po ndodhë anasjelltas.

Sahatçiu bën diçka tjetër. Jo rrallëherë, ajo përkrah Qeverinë Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ani pse të dytë këta nuk e huqin asnjë mundësi për ta bërë për pesë pare PDK-në dhe ish-udhëheqësit e kësaj partie që tash janë në Hagë. Ndoshta mjafton që t’i rikujtojmë videot e fundit ndaj “shkatërruesëve të shtetit”, të prodhuar nga LVV-ja.

Në maj të këtij viti Sahatçiu e kishte shpërndarë një pjesë të fjalimit të presidentes, Vjosa Osmani.

“Kemi nevojë për më shumë se fjalë dhe fjalime. Kemi nevojë për ambicie. Kemi nevojë për aksion”, thuhej në postimin e Sahatçiut ku ajo citonte presidenten Vjosa Osmani. Osmani, nga ana e saj, është ngritur në karrierë duke e sulmuar për më shumë se një dekadë partinë e cila e ka bërë Sahatçiun nënkryetare të Prishtinës.

Përveç kësaj, kur krejt opozita, duke përfshirë këtu edhe Partinë Demokratike të Kosovës po e akuzojnë Qeverinë për mënyrën se si e përballoi krizën energjetike dhe po ngrisin pikëpyetje se si do të ndodhë kjo në të ardhmen, nën udhëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Sahatçiu e ka “përkrahur” këtë të fundit.

Në Twitter, ajo i ka dhënë një “pëlqim” postimit të Anyla Beqës, shefe e stafit në Ministrinë e Ekonomisë, ku shihet me Rizvanollin duke shkuar në një takim.

“Kujt i jep llogari Donjeta”? – ishte një prej pyetjeve që iu shtrua asaj në një intervistë për gazetarën Jeta Xharra, ku kjo “refuzonte” ta thotë emrin e partisë së saj dhe ish-kandidatit për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajlit.

“Qytetarit së pari, ekipës ku punoj…Mandej janë sigurisht, ekipi me të cilin punoj në komunë, që është kryetari Rama. Për shkak të afërsisë dhe idesë së programeve që kemi pasë edhe gjatë fushatës, Urani është mbështetje, sigurisht nuk punon në komunë. Por është mbështetja vizionare e asaj pse ne jemi sot në komunë. Urani ka pozitë në parti të vet, dhe do të vazhdojë aty…Jo domosdo, unë siç thash nuk e kam asnjë ditë në asnjë parti politike, angazhim. Asociohem unë sot në PDK?”, deklaronte Sahatçiu.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm i veprimeve të tilla të nënkryetares së kryeqytetit. Edhe në ditën kur ajo foli për punën e saj gjashtë mujore në këtë pozitë, përveç kryetarit Përparim Rama, përmendi dhe kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani.

Ajo në shkrimin e publikuar në gusht të këtij viti, fliste edhe për “platformën politike” të këtyre dy të fundit, që janë kundërshtarë politikë të PDK-së.

“Eh! Urani e unë, Përparimi e Albani, edhe Albini e Vjosa, nuk do të kishin këtë mundësi të fitoreve e gabimeve pa një platformë politike. Pa një organizatë dhe vizion politik, ne do të vazhdonim punë tona secili/a për shtëpinë e vet. Prandaj roli im është politik. Ajo çka bëj është politikë. Sepse kjo është politika. E llojllojshme. Jo shabllon. Mund të jetë edhe kështu: e sinqertë, me buzëqeshje e zemër plot”, thuhej në postimin e Sahatçiut.

Kush është Donjeta Sahatçiu?

Uran Ismaili i PDK-së e kishte prezantuar në një konferencë për media Donjeta Sahatçiun, në mesin e emrave të personave që do të merrnin pozita udhëheqëse në drejtoritë e Komunës së Prishtinës.

Ai me plot lëvdata, kishte thënë se Sahatçiu do të jetë nënkryetarja e parë grua e kryetqytetit.

Sahatçiu, para se të aktivizohej në politikë pikërisht nga Partia Demokratike e Kosovës, kishte udhëhequr kompaninë “Rrota”.

E njëjta, ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.

Sahatçiu, gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave.

Kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate;

Kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate;

Anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate:

Anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) në një mandat.

Lajme të ngjashme