Çitaku: Partia që ka fituar mbi 50% të votave po dështon të sigurojë shumicën në Kuvend - NACIONALE

Çitaku: Partia që ka fituar mbi 50% të votave po dështon të sigurojë shumicën në Kuvend

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar partinë në pushtet, e cila në mënyrë të vazhdueshme po dështon të sigurojë shumicën për mbajtjen e seancave të Kuvendit.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo është papërgjegjësi e skajshme.

Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme. Puna e parë dhe kryesore e deputetëve është miratimi dhe inicimi i nismave ligjore. Jo hajt pak. Jo deklarimet jashtë rendit të ditës. Jo show. Është vend pune. Është kontratë me qytetarin”, ka shkruar Çitaku.

Konjufca i nervozuar

Seanca e Kuvendit të Kosovës e paraparë që të fillonte nga ora 10:00, është shtyrë për në orën 12:30, pasi mazhoranca, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur t’i mbledhë deputetët.

Kjo u lajmërua nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se mazhoranca “i ka premtuar” se do t’i sjellin deputetët në sallë.

“Mazhoranca nuk po mundet me i mbledhë deputetët, shihemi në orën 12:30, po më premtojnë që kanë me i sjellë deputetët.” – tha ai.

Para kësaj, kryeparlamentari u shpreh mjaft i nervozuar duke i kritikuar deputetët për papërgjegjësi.

Ai madje, deklaroi se mendon që “kjo legjislaturë nuk duhet të vazhdojë”.

“Qysh po e shohë këtë papërgjegjësi të disa deputetëve, mendoj se kjo legjislaturë nuk meriton me vazhdu.” – ka thënë ai.

Edhe javën e kaluar, në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar mbajtjen e dy seancave.

Lajme të ngjashme