Çitaku: Kurti po tenton të legalizojë diktatin në vend të marrëveshjes
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë një paraqitjeje në emisionin “DPT me Fidanin” në Klan Kosova, duke e akuzuar se po synon të “legalizojë diktatin si instrument ndërtimi të politikave”.
“Çfarë po synon Kurti të bëjë është që të legalizojë diktatin, si instrument të ndërtimit të politikave, në demokraci, diktati nuk funksionon, në demokraci funksionon marrëveshja, funksionon kompromisi. Meqë nuk e ka shumicën e nevojshme, Kurti duhet të pranojë opsione të tjera që i ka në tavolinë”, deklaroi Çitaku.
Ajo rikujtoi që PDK, përmes kryetarit Memli Krasniqi, i ka bërë të qartë Kurtit se nuk do të votojë për asnjë nga ministrat e Qeverisë Kurti 2, por shtoi se Kurti ka në dispozicion rreth 40 deputetë të tjerë nga lista e tij për të zhbllokuar situatën.
“Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht kryetari Krasniqi në takim Kurtit ia ka bërë të qartë që PDK nuk ka votë për asnjë nga ministrat e Qeverisë Kurti 2, mirëpo Kurti aty ka në dispozicion edhe rreth 40 deputetë tjerë të cilëve u ka besuar që t’i ketë në listë dhe ka mundësi që ta zhbllokojë situatën”, tha tutje ajo.