Fotografia e Çitakut me McGonigal hedh në sulm VV-në, ish-ambasadorja i quan "përpjekje qesharake për të shpërndarë mjegull"
Një foto e përbashkët e nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ku shihet edhe Charles McGonigal, i akuzuar për bashkëpunim me një oligark rus të sanksionuar dhe fshehur qindra mijëra dollarë në vitin 2017 kur Çitaku ishte ambasadore në SHBA, u bë shkak që deputeti i VV-së, Artan Abrashi, me një postim në llogarinë e tij në Facebook të kërkojë nga zonja Çitaku që të dalë me një shpjegim për “lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara." I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, e cila i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Abrashi përdori disa fotografi të përbashkëta mes Çitakut dhe McGonigalit - të realizuara më 4 tetor 2017 - në përpjepje për të gjetur lidhjet mes të tyre.
Duke përmendur faktin se ish-shefi i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, akuzohet për lidhje me oligarkët rusë dhe fshehjen e qindra mijëra dollarëve, Abrashi i VV-së ftoi Çitakun e PDK-së që të flas për lidhjet e mundshme në takimin me McGonigal.
"Të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për 'rastin Mcgonigal', ish shefin e kundërzbulimit të FBI-së, dhe lidhjen që kishte me politikanët shqiptarë, por edhe me oligarkë rusë.Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike. ‘’Një juri e madhe federale e SHBA po heton nëse ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal ka marrë pagesa ose dhurata nga zyrtarë qeveritarë në Mal të Zi, Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Kosovë’’, thuhet në artikullin e BallkanInsight. Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara." - shkruan Abrashi në Facebook.
Lidhur me shkrimin e deputetit Abrashi, Çitaku në reagimin e ka quajtur këtë "një përpjekje qesharake e ekspontëve të VV-së për të shpërndarë mjegull".
Ajo ka treguar se deri të takimi me zotin McGonigal erdhi pasi me 4 tetor 2017 ishte ftuar të flasë para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale.
Pamjet që Abrashi përdori për të "akuzuar" Çitakun janë realizuar rreth 5 vite më parë. Ato janë të disponueshme në faqen e Ambasadës së Kosovës në Uashington.
Aty thuhej Çitaku kishe mbajtur fjalim për ditorin për rolin e domosdoshëm që SHBA-të luajnë në botë.
"Ambasadorja Vlora Çitaku foli dje në auditorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) për rolin e domosdoshëm që SHBA-të luajnë në botë. SHBA-ja është një partner kyç për vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, në luftimin e sfidave rajonale dhe globale." - thuhej në këtë komunikatë të vitit 2017.
Kujtojmë se ish-shefi për kundërzbulim në zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, u akuzua të hënën për bashkëpunim me një oligark të sanksionuar rus dhe fshehje të qindra mijëra dollarëve që dyshohet se i kishte marrë nga një ish-punëtor i një agjencie shqiptare të inteligjencës, kur ishte zyrtar i lartë i Byrosë Federale të Hetimeve.
Ndër të tjera në aktakuzën ndaj tij, është përmendur edhe fakti se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri e Gjermani, McGonigal kishte dështuar që të tregojë përmes dokumenteve zyrtare amerikane se është takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një politikan kosovar dhe me disa figura të tjera.
Charles McGoningal, tashmë ish-zyrtar i FBI përveç lidhjeve me një oligark të sanksionuar rus, është nën hetime edhe për korrupsion e për fshehje të takimeve më kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me një ish-punonjës të agjencisë shqiptare të inteligjences, i njohur si Agron Nezaj, nga i cili thuhet se Gonigal ka marrë edhe 225 mijë dollarë, në mënyrë që të ndikojë në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.
Rama e ka pranuar se njihej me McGonigal, megjithatë ka thënë se hetimi ndaj tij nuk ka të bëjë më të.