Cilat janë fjalët e Albin Kurtit kundër të cilave po protestojnë serbët në Rudarë?
Serbët e Kosovës po mbajnë një protestë të madhe në Rudarë. Por, cilat janë arsyet e tyre?
Serbët e mbledhur në protestën e thirrur nga i ashtuquajturi “Shtab i Krizave” që drejtohet nga zyrtarë të Listës Serbe janë të shumtë. Serbëve nga veriu fatkeqësisht u janë bashkuar edhe shumë të tjerë nga qytetet jugore të Kosovës.
Pse po protestohet?
Derisa barrikadat kanë hyrë në ditën e 13, e të cilat kanë si arsye arrestimin e ish zyrtarit policor Dejan Pantiq, kësaj here e gjithë çështja ka të bëjë me një fjali.
Ajo fjali është thënë nga kryeministri ynë, Albin Kurti.
“Brenga jonë është që heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat,” – kishte thënë z. Albin Kurti për gazetën prestigjioze britanike The Guardian.

Interpretimi që po i bën Lista Serbe kësaj deklarate, me Goran Rakiqin – ish ministër i Albin Kurtit si zërin më të fuqishëm – është tmerrësisht dashakeq.
Ata po u thonë serbëve se një deklaratë e tillë nga kryeministri nënkupton që po përgatitet vrasja e serbëve që ndodhen në barrikadat serbe. Natyrisht, kjo gjë është krejtësisht e pavërtetë.

Kurti e ka lënë në dorë të KFOR-it bindjen e barrikaduesve për t’i hequr barrikadat.
“Le të quhet kjo zbutje,” – kishte thënë mes tjerash ai.
Çka kishte thënë tjetër Kurti?
Pra, fjalia në fjalë ishte shkëputur nga konteksti. Menjëherë më pas, Kurti kishte thënë këto fjalë:
“Kjo është arsyeja pse duhet të jemi sa më të kujdesshëm që është e mundur që të sigurohemi se nuk do të ketë destabilizim (të situatës) dhe që paqja relative dhe siguria do të vendosen...” – ishte shprehur ai në po të njëjtën intervistë.
Protestuesit
Njëra pankartë në protestë shkruan “Nuk po du me heshtë për terrorin e Kurtit!”
Një tjetër, më kryesorja, përmban këto fjalë: “Kurt, Kosova dhe Metohija nuk janë pronë e jotja, por e gjyshërve tanë,”
Në këtë protestë foli edhe i biri i ish zyrtarit policor Dejan Pantiq i arrestuar nga Policia e Kosovës për prishje të rendit publik.

I biri i tij pretendoi se i ati i ishte arrestuar vetëm pse “ishte serb”.
“Babai im është arrestuar dhe tashmë është shpallur fajtor... Babai im është fajtor sepse është serb, dhe sepse ka jetuar gjithë jetën këtu. Njerëzit po e shohin veten tek babai im... Pse po hesht Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare?” – u shpreh Predrag Pantiqi.
Një ekip i gazetës Nacionale ndodhet në vend të ngjarjes dhe redaksia do t'ju mbajë të informuar në lidhje me zhvillimet e fundit.