Chollet për vizitën në Kosovë: Me Kurtin e Osmanin do të bisedoj për shtyrjen e zgjedhjeve në veri - NACIONALE

Chollet për vizitën në Kosovë: Me Kurtin e Osmanin do të bisedoj për shtyrjen e zgjedhjeve në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari amerikan dhe Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të shtyhen, derisa theksoi se kjo është një prej arsyeve, për vizitën e tij në Kosovë gjatë javës që vjen.

Në një intervistë për“Zërin e Amerikës”, Chollet ka deklaruar se nuk është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje, duke përmendur edhe dhunën në veri gjatë 24 orëve të fundit.

“Nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, - tha ai.

Më tutje, ai theksoi se shtyrja e zgjedhjeve, do të jetë çështja kryesore që do ta diskutojë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara." - shtoi Chollet.

Çka raportoi Nacionale?

Para dy ditësh, gazeta Nacionale raportoi se nënsekretari amerikan dhe Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Dereck Chollet, do ta vizitojë Kosovën gjatë javës që vjen.

Nacionale ka kontaktuar Lidhjen Demokratike në lidhje me këtë takim, dhe ata e kanë konfirmuar.

Zëdhënësja politike e kësaj partie, Sibel Halimi, i tha redaksisë se "ishin ftuar në takim" me zyrtarët e lartë amerikan.

Takimi, raportohet se do të zhvillohet në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ndërkohë që ambasadori Hovenier sot takoi kryetarin e Lidhjes Demokratike, Abdixhikun.

Kush është Derek Chollet?

Chollet fillimisht kishte bërë bujë për një telefonatë që e kishte pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin. Në postimin e tij në Tëitter, Chollet do të “ndante zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.

Për herë të parë një zyrtar amerikan publikisht po tregonte se kishte ndarë zhgënjimin për veprime të Kosovës me Serbinë. Ky reagim i tij vinte vetëm pak ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit kishte shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin në fjalë.

Nënsekretari Derek Chollet është një diplomat me përvojë që këshillon Sekretarin Antony Blinken për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme.

Ai ka punuar edhe më herët në pozicione të ndryshme në Departmentin e Shtetit, e po ashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentin e Mbrojtjes. Chollet kishte punuar edhe në Administratën e Bill Clintonit duke shërbyer si fjalimshkruesi kryesor i ambasadorit në OKB, Richard Holbrooke.

Lajme të ngjashme