ChatGPT, përfshirja e inteligjencës artificiale në botën e (dez)informimit dhe sfidat në Kosovë
ChatGPT, program i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga OpenAI, ka impresionuar shumëkë kohëve të fundit, për mënyrën e funksionimit dhe informacionet që t’i ofron në pak sekonda. Është një tjetër shembull që tregon se njerëzimin e presin sfida të reja të ngritura nga zhvillimet e tilla teknologjike, të cilat nuk kanë të sosur dhe, me kalimin e kohës, vetëm sa do të shtohen. Tashmë duhet të përgatitemi që t’i shfrytëzojmë këto mjete e mundësi, por njëkohësisht, t’i parandalojmë dhe kufizojmë keqpërdorimet e mundshme.
Dren Gërguri
Inteligjencia artificiale po e ndryshon dhe do ta ndryshojë edhe më shumë mënyrën tonë të jetesës dhe të punës. Ky simulim i inteligjencës artificiale në makina që programohen për të menduar si njerëzit ka mundësuar që, sot, në disa fusha, njeriu të zëvendësohet nga makinat. Por, çfarë do të thotë kjo në fushën e informimit dhe cilat mund të jenë keqpërdorimet nga të cilat duhet të kemi kujdes?
Inteligjenca artificiale mund të shihet si një prodhues edhe më i shpejtë i dezinformimit dhe manipulimet mund të bëhen më shpejt e më lehtë, si rrjedhojë e shfrytëzimit të saj. NewsGuard në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një analizë ka treguar se si ChatGPT-ja mund të keqpërdoret për dezinformim dhe manipulim.
80% e përgjigjeve të ChatGPT-së ishin të gabuara
Në muajin e kaluar, analistët e NewsGuard kërkuan nga ChatGPT-ja t’u përgjigjej disa pyetjeve të ndërlidhura me narrativa të rreme, tashmë të dekonstruktuara nga NewsGuard. Rezultati është shqetësues, sepse ChatGPT-ja ka prodhuar narrativa të rreme në 80 nga 100 rastet e analizuara nga NewsGuard. Kjo tregon se si inteligjenca artificiale mund të mashtrohet nga njeriu, por edhe se mund ta mashtrojë atë.
E rëndësishme në ditët e sotme është ta kuptojmë që inteligjenca artificiale dhe ChatGPT, si një program i krijuar nga një grup njerëzish, duhet vazhdimisht të ‘ushqehet’ me të dhëna, në mënyrë që të minimizojë mundësitë e keqpërdorimit. Aktualisht, ChatGPT është trajnuar kryesisht për të dhënat deri në vitin 2021. Kjo e lë të hapur rrugën e keqpërdorimeve për ngjarjet nga viti i kaluar dhe fillimi i këtij viti.
Për ta kuptuar sa i rëndësishëm është qarkullimi i demanteve të dezinformatave dhe propagandave tregon një shembull i përdorur nga NewsGuard. Në një kërkesë të analistit të NewsGuard rreth narrativës së rreme që Barack Obama kishte lindur në Kenia, përgjigja e ChatGPT-së ishte: “... teoria se Presidenti Obama ka lindur në Kenia nuk bazohet në fakte dhe është demantuar në mënyrë të përsëritur”. Ky shembull na tregon se sa është e rëndësishme që narrativat e rreme anti-Kosovë të demantohen e të demaskohen, në mënyrë që në të ardhmen, programet e tilla të inteligjencës artificiale të mos ‘ushqehen’ vetëm me dezinformatat, propagandat e narrativat e rreme të krijuara për shtetin dhe historinë tonë.
Përgjigjet e gabuara në 80% të kërkesave është përqindje e lartë, siç tregon analiza e NewsGuard. Kjo vë në pah domosdoshmërinë e përsosjes së programit, para se të vihet në shfrytëzim. Përndryshe, në situatën aktuale, ChatGPT-ja është padyshim një mjet shumë i përshtatshëm për shpërndarje të dezinformatave, propagandave dhe manipulimeve të informacionit. Përdoruesi i zakonshëm mund të mos ketë qëllimin e dezinformimit dhe manipulimit, por ata që duan të përfitojnë edhe më shumë nga ky avancim teknologjik, chatbot është adresa.
Sfidat me inteligjencen artificiale në Kosovë
Inteligjenca artificiale do të jetë sfiduese edhe për shoqërinë tonë, madje për disa arsye që ndërlidhen me disa karakteristika që shoqëria jonë i ka më të theksuara në raport me shoqëritë tjera. Popullsia e re ndikon që të ketë shkallë të lartë të përdorimit të internetit. 85% e qytetarëve të Kosovës i përdorin mediat sociale në baza ditore, ndërkaq në nivel të Bashkimit Europian, 63% e qytetarëve i përdorin mediet sociale së paku një herë në javë. 42% e evropianëve lexojnë lajme në internet të paktën një herë në ditë, ndërsa në rastin e Kosovës, marrja e informacioneve në internet në baza ditore është 62%. Këto dallime tregojnë për mundësinë e shumëfishtë të përdorimit dhe ndikimit të teknologjisë së re nga qytetarët e Kosovës, në krahasim me ata të BE-së.
Arsyeja e dytë është shtrirja e internetit, që sërish në Kosovë është më e lartë se sa në vendet e tjera të rajonit, apo se sa mesatarja e BE-së. Në Kosovë, shtrirja e internetit nëpër shtëpi mbërrin në 97%, që i bie mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 92%. Shkalla e lartë e shtrirjes së internetit gjithashtu është një parakusht që inteligjenca articiale të përfshihet më shumë në jetën e qytetarëve.
Kriza e dallimit të informacioneve të vërteta nga ato të rreme nga qytetarët e Kosovës, është një tjetër arsye që mund të çojë në probleme dhe sfida të reja të krijuara nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale me qëllime dashakeqe. Në një studim të publikuar së fundi, që në fokus kishte Kosovën prezantohen rezultate të cilat konfirmojnë që njerëzit e kanë të vështirë të bëjnë dallimin midis informacioneve të vërteta dhe atyre të rreme, duke mos iu besuar informacioneve të vërteta, me bindjen se ajo janë të rreme, si dhe anasjelltas, duke iu besuar informacioneve të rreme, duke i marrë të mirëqena dhe të vërteta. Kjo ndërlidhet me nivelin e ulët të edukimit medial në shoqëri dhe me mungesën e shkathtësive të shoqërisë kosovare për të mbajtur gjykim kritik ndaj informacioneve që i merr, duke i analizuar para se t’i besojë ato. Kjo krizë nuk është vetëm në shoqërinë e Kosovës dhe, këtë e tregojnë edhe rezultatet e disa studimeve të mëhershme në SHBA dhe Britani të Madhe.
Inteligjencia articiale gjithsesi se do të jetë një burim i rëndësishëm informimi në të ardhmen, por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga gjykimi kritik në raport me atë që na e servon ChatGPT, apo ndonjë program tjetër në të ardhmen. Prandaj, edukimi medial do të jetë edhe më i rëndësishëm sot e nesër, sepse u mundëson qytetarëve të jenë më të përgatitur për ambientin informativ që na rrethon dhe që do të na rrethojë në të ardhmen.
Integrimi i inteligjencës artificiale në dezinformim mundëson prodhim të përmbajtjes në mënyrë automatike dhe me kosto më të ulët, çka nënkupton rrezik për shumëfishim të fushatave dezinformuese nëpër botë. Përsosja e inteligjencës artificiale dhe lejimi i keqpërdorimit të saj mund të çojë në teknika të reja propagandimi, deri në masën e personalizimit të chatbotit, duke prodhuar dezinformata dhe narrativa, varësisht nga të dhënat dhe karakteristikat e përdoruesit.